Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Protesta, a do të japë Edi Rama dorëheqjen?

OBSH në krizë! Organizata pritet të shkurtojë rreth 2 mijë vende pune pa largimit të SHBA-ve si donator

OBSH në krizë! Organizata pritet të shkurtojë rreth 2 mijë vende pune pa largimit të SHBA-ve si donator

08:24, 19/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar se deri në mesin e vitit të ardhshëm pritet të zvogëlojë stafin me gati 25 për qind, më shumë se 2 mijë vende pune si pjesë e reformave të ndërmarra pas largimit të donatorit të saj kryesor, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump u tërhoq nga organizata menjëherë pas marrjes së detyrës në janar, duke e detyruar agjencinë të shkurtojë aktivitetet dhe të përgjysmojë strukturën drejtuese.

SHBA ka qenë financuesja më e madhe e OBSH-së, duke kontribuar rreth 18 për qind të buxhetit të përgjithshëm të saj. Sipas një prezantimi që pritet t’u paraqitet shteteve anëtare të mërkurën, OBSH-ja me seli në Gjenevë parashikon që stafi të bjerë në 7 mijë e 30 punonjës deri në qershor 2026, nga 9 mijë e 401 që ishin në janar 2025.

Këto ulje vijnë si pasojë e shkurtimit të vendeve të punës, pensionimeve dhe largimeve vullnetare. Shifra nuk përfshin personelin e përkohshëm dhe konsulentët, të cilët, sipas burimeve brenda OKB-së, janë larguar nga puna. Një zëdhënës i OBSH-së konfirmoi numrin e përgjithshëm të largimeve dhe tha se reduktimi mund të arrijë deri në 22 për qind, në varësi të mbushjes së vendeve vakante.

Në gusht, OBSH njoftoi se qindra punonjës kishin lënë detyrën, por kjo është hera e parë që publikon një përmasë kaq të plotë të ndryshimeve të pritshme në nivel global.

“Këtë vit kemi kaluar një nga periudhat më të vështira në historinë e OBSH-së, teksa kemi kaluar nëpër një proces të dhimbshëm, por të domosdoshëm të përcaktimit të prioriteteve dhe riorganizimit, i cili ka sjellë një ulje të ndjeshme të fuqisë sonë punëtore”, tha Drejtori i Përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus në një mesazh drejtuar stafit të martën, mesazh i siguruar nga Reuters. Ai shtoi se procesi po i afrohet fundit dhe se organizata po përgatitet të vazhdojë punën “e riformësuar dhe e rinovuar”.

Prezantimi gjithashtu tregonte se në buxhetin 2026–2027 të organizatës ekziston një mungesë prej 1.06 miliardë dollarësh, pothuajse një të katërta e shumës së nevojshme, megjithatë më e ulët krahasuar me boshllëkun prej 1.7 miliardë dollarësh të vlerësuar në maj.

Këto të dhëna nuk përfshijnë rreth 1.1 miliardë dollarë financime të pritshme, për të cilat po zhvillohen negociata në faza të ndryshme. Sipas zëdhënësit të OBSH-së, pjesa e buxhetit dyvjeçar që mbetet e pafinancuar është më e ulët se në vitet e kaluara, çka i atribuohet uljes së vetë buxhetit, nisjes së një fushate të re për mbledhjen e fondeve dhe rritjes së kuotave të detyrueshme nga shtetet anëtare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco