Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje partnerëve evropianë të rrisin presionin ndaj Rusisë, duke theksuar se vetëm një kombinim i mbrojtjes ajrore më të fortë, armëve me rreze të gjatë veprimi dhe sanksioneve më të ashpra mund ta detyrojë Moskën të ulet në bisedime të drejtpërdrejta paqeje me Kievin. Gjatë fjalës së tij në samitin e BE-së në Bruksel, Zelenskyy theksoi se Rusia vazhdon të refuzojë idenë e armëpushimit, ndërsa Bashkimi Evropian miratoi një paketë të re sanksionesh kundër Moskës.
“Më shumë presion mbi Rusinë dhe ata do të ulen dhe do të flasin. Ky është plani,” deklaroi ai, duke nënvizuar se Kievi do të bashkëpunojë edhe me vende jashtë BE-së, si Norvegjia, Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar, për të forcuar zbatimin global të sanksioneve. “Duhet të shkojmë më tej. Bota duhet të respektojë sanksionet e BE-së në të njëjtën mënyrë siç respekton ato të SHBA-së,” shtoi Zelenskyy, duke përmendur paketën e re të sanksioneve amerikane ndaj kompanive kryesore të naftës ruse.
Kreu i shtetit ukrainas tha se mbrojtja ajrore dhe raketat me rreze të gjatë veprimi janë kyçe për ta mbrojtur vendin nga sulmet e përditshme ruse. Ai konfirmoi se Ukraina po negocion për furnizimin me 25 bateri të sistemit Patriot, të vetmit që mund të rrëzojnë vazhdimisht raketa balistike ruse. Zelenskyy shtoi se disa vende evropiane kanë raketa Tomahawk dhe se Kievi po zhvillon bisedime për t’i marrë ato në dispozicion.
“Ne duhet të mbrohemi dhe të kundërpërgjigjemi, nëse nuk duam t’u japim atyre mundësinë për të sulmuar dhe për të fituar,” tha ai, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit me aleatët për të përshpejtuar dërgesat e armëve.
Sipas tij, përforcimi i mbrojtjes ajrore dhe i arsenalit ushtarak do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë diplomatik mbi Kremlinin. “Kur flasim për armë me rreze të gjatë veprimi për Ukrainën, nënkuptojmë që regjimi i Putinit duhet të ndiejë pasoja reale nga kjo luftë,” theksoi Zelenskyy, duke shtuar se reagimi nervoz i presidentit rus Vladimir Putin ndaj këtij diskutimi tregon se armët e tilla mund të ndryshojnë rrjedhën e luftës.
Zelenskyy nuk e përjashtoi mundësinë që SHBA të furnizojë Ukrainën me raketa Tomahawk në të ardhmen e afërt. “Nuk kemi ende Tomahawk. Ndoshta nesër do t’i kemi,” tha ai me optimizëm.
Pas samitit në Bruksel, presidenti ukrainas pritet të udhëtojë në Londër për një takim të “Koalicionit të të Vullnetshmëve”, ku pritet të diskutohet mbështetja energjetike dhe ushtarake për Ukrainën.
© SYRI.net