Një aksident tragjik është regjistruar në Ontario, shtetin e Kalifornisë, SHBA, ku një shofer i dehur dhe nën ndikimin e drogës ka shkaktuar përplasjen zinxhir të tetë automjeteve në një nga autostradat kryesore të zonës.
Sipas mediave amerikane, tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur, ndërsa autori i ngjarjes është identifikuar si Jashanpreet Singh, 21 vjeç, me origjinë indiane.
Autoritetet konfirmuan se Singh ishte nën ndikimin e substancave narkotike në momentin e aksidentit. Ai është arrestuar menjëherë pas ngjarjes nga policia lokale.
Zyrtarët e Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (DHS) bënë të ditur se Singh ndodhej ilegalisht në territorin amerikan që prej vitit 2022, pasi kishte hyrë në vend pa dokumente të rregullta.
Sipas raportit paraprak të policisë:
Dy persona u shpallën të vdekur në vendngjarje.
Pesë të tjerë u transportuan me urgjencë në spital, ku njëri prej tyre ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra.
Ndaj 21-vjeçarit Singh janë ngritur disa akuza të rënda, përfshirë:
Drejtim mjeti nën ndikimin e drogës,
Shkaktim të lëndimeve të rënda trupore,
Dhe vrasje të rëndë nga pakujdesia nën ndikimin e substancave narkotike.
Ai mbetet në paraburgim dhe pritet të dalë përpara Gjykatës Supreme të Kalifornisë në ditët në vijim.
© SYRI.net