Dy gazetarë ukrainas të kanalit Freedom TV humbën jetën në një sulm të kryer nga një dron rus në Kramatorsk, një qytet në lindje të Ukrainës. Ngjarja ndodhi kur ata po ndodheshin në një pikë karburanti dhe makina e tyre u godit nga një shpërthim i fuqishëm. Sipas raportimeve të televizioneve lokale, guvernatori i rajonit të Donjeckut ka publikuar pamjet e mbetjeve të djegura të makinës, duke konfirmuar tragjedinë.
Ky sulm i fundit i ushtrisë ruse ka tronditur komunitetin e gazetarëve në Ukrainë, ndërsa shumë media dhe organizata të drejtat e njeriut kanë dënuar përdorimin e dronëve për të sulmuar civile dhe gazetarë në terren.
Nga ana tjetër, autoritetet ukrainase reaguan ndaj spekulimeve në media që sugjeronin se takimi i javës së kaluar mes presidentëve të SHBA-së dhe Ukrainës, Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky, kishte shkuar keq. Kreu i zyrës së presidencës ukrainase, Andriy Yermak, e mohoi këtë version, duke theksuar se takimi kishte përfunduar me një "pozicion strategjik të përbashkët" mes dy liderëve.
Yermak pranoi se Ukraina nuk kishte marrë të gjitha rezultatet që kishte shpresuar nga ky takim, por theksoi se bisedimet kishin ndihmuar për të hedhur bazat për një punë të mëtejshme dhe për të arritur një armëpushim të mundshëm në të ardhmen. Ai shtoi se bisedimet kishin përfunduar me një marrëveshje për vijën aktuale të kontaktit, e cila do të shërbejë si bazë për çdo negociatë të ardhshme.
© SYRI.net