Lufta civile në Siri, e cila nisi në vitin 2011 pas protestave masive kundër regjimit të Bashar al-Assad, ka lënë pas një vend të shkatërruar. Sipas një vlerësimi të ri të Bankës Botërore, rindërtimi i Sirisë do të kërkojë rreth 216 miliardë dollarë (185 miliardë euro) – pothuajse 10 herë më shumë se prodhimi i brendshëm bruto i vendit për vitin 2024.
Raporti thekson se konflikti ka shkatërruar pjesë të mëdha të vendit dhe ka dëmtuar rëndë infrastrukturën kritike, përfshirë rrjetin elektrik. Vetëm rindërtimi i infrastrukturës parashikohet të kushtojë 82 miliardë dollarë, ndërsa dëmet në ndërtesat rezidenciale vlerësohen në 75 miliardë dollarë dhe ato në strukturat jo-rezidenciale në 59 miliardë dollarë.
Sipas Bankës Botërore, provinca e Alepos dhe fshatrat përreth Damaskut do të kërkojnë investimet më të mëdha për shkak të dëmeve të rënda nga betejat. “Sfidat përpara janë të jashtëzakonshme, por Banka Botërore është e gatshme të punojë përkrah popullit sirian dhe bashkësisë ndërkombëtare për të mbështetur rimëkëmbjen dhe rindërtimin,” tha Jean-Christophe Carret, Drejtori i Bankës Botërore për Lindjen e Mesme.
Megjithë përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Perëndimin dhe nënshkrimin e disa marrëveshjeve investimi me vendet e Gjirit, Siria vazhdon të përballet me një krizë të thellë ekonomike. Heqja e pjesës më të madhe të sanksioneve nga SHBA dhe BE nuk ka sjellë ndryshime të ndjeshme në terren.
Kombet e Bashkuara raportojnë se 90% e popullsisë siriane jeton në varfëri, ndërsa shkurtimet në ndihmën ndërkombëtare kanë përkeqësuar më tej kushtet e jetesës. Gjatë konfliktit, qindra mijëra njerëz humbën jetën, dhe miliona të tjerë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre.
Në fund të vitit 2024, më shumë se 6 milionë sirianë ishin regjistruar si refugjatë ose azilkërkues, kryesisht në Turqi, Liban dhe Jordani. Ndërsa BE-ja strehon rreth 1.3 milion sirianë, kryesisht në Gjermani, Suedi dhe Austri.
Pas më shumë se 20 vitesh në pushtet, Bashar al-Assad u rrëzua në dhjetor nga një ofensivë e shpejtë e forcave rebele, duke shënuar fundin e një epoke që la pas një vend të rrënuar dhe një popull të lodhur nga lufta.
© SYRI.net