Rreth 12 milionë pilula Captagon (fenetiline), e njohur edhe si “Droga e terroristëve” apo e “Regjimit të Assadit”, u sekuestruan në një operacion pranë Damaskut.
Lajmin e njoftoi të hënën Ministria e Brendshme e Sirisë. Ky është një nga sekuestrimet më të mëdha të njoftuara që kur autoritetet e reja de facto morën pushtetin në dhjetor 2024.
Pas “monitorimit të ngushtë dhe zbulimit të një rrjeti trafikimi që po përpiqej të kontrabandonte sasi të mëdha substancash psikoaktive jashtë vendit, forcat e sigurisë sekuestruan rreth 12 milionë pilula Captagon në rajonin Al-Dumayr”, tha gjenerali i brigadës Khaled Eid, drejtor i departamentit të ndjekjes penale të narkotikëve, në një deklaratë nga ministria.
Kryetari i grupit u arrestua gjatë operacionit, tha Eid. Drogat e sekuestruara do të shkatërrohen.
Captagon, një amfetaminë sintetike e prodhuar ilegalisht, u bë, sipas Agence France-Presse, produkti kryesor i eksportit të Sirisë gjatë luftës civile që shpërtheu në vitin 2011.
Sipas të njëjtit burim, ishte një burim kryesor i financimit të paligjshëm për sundimin e ish-Presidentit Bashar al-Assad, i cili dyshohet se e transformoi Sirinë “në një narko-shtet”. Gjithashtu ajo është shumëe përhapur edhe mes organizatave terroriste, që e trafikojnë në Perëndim.
Që nga rënia e regjimit të tij, autoritetet e reja de facto kanë njoftuar sekuestrimin e sasive të mëdha të Captagon. Megjithatë, vendet fqinje vazhdojnë të raportojnë përgjime të dërgesave të mëdha.
Droga psikotrope ka përmbytur rajonin, duke i bërë qeveritë të kërkojnë që Libani dhe Siria të shtojnë përpjekjet e tyre për të luftuar trafikimin.
© SYRI.net