Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen! Protestuesit rrethojnë kryeministrinë

Telefonata Rubio-Lavrov për samitin në Budapest, Putin mund të kalojë nga Bullgaria

Telefonata Rubio-Lavrov për samitin në Budapest, Putin mund të kalojë nga Bullgaria

08:19, 21/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

“Jemi në rrugën drejt përpjekjes për të arritur një marrëveshje. Nëse nuk do t’ia dalim, shumë njerëz do të paguajnë një çmim të lartë.” Kështu u shpreh dje, më 20 tetor, presidenti amerikan Donald Trump, duke u rikthyer në një qasje negociuese pas presioneve të ditëve të fundit ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Kjo ndodhi pikërisht në kohën kur ministrat e Jashtëm të SHBA-ve dhe Rusisë, Marco Rubio dhe Sergei Lavrov, zhvilluan një telefonatë për të përgatitur terrenin për samitin e ardhshëm në Budapest mes liderëve të Shtëpisë së Bardhë dhe Kremlinit. 

Zëvendësi i Trump, JD Vance, theksoi se “ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për furnizimin e Kievit me raketat Tomahawk”, duke lëshuar një paralajmërim për Moskën që Putin të mos mendojë se ka fituar, siç ndodhi para dështimit të takimit në Anchorage.

Dita nisi me telefonatën mes dy ministrave Rubio dhe Lavrov, të cilën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, e përshkroi si një mundësi për të diskutuar “hapat e ardhshëm”, pas bisedës së 16 tetorit mes presidentëve Trump dhe Putin. Rubio theksoi rëndësinë e angazhimeve të ardhshme si një mundësi për bashkëpunim mes Moskës dhe Uashingtonit për të promovuar një zgjidhje të qëndrueshme të luftës Rusi-Ukrainë, në përputhje me vizionin e presidentit Trump.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergey Ryabkov, konfirmoi bisedën, por sqaroi se “absolutisht nuk ka asnjë marrëveshje. Gjithçka është në fazë vlerësimi”, përfshirë vendin dhe datën e takimit mes dy krerëve të diplomacisë. Me fjalë të tjera, procesi sapo ka nisur dhe kërkon ndërtimin e një kuadri të përgjithshëm për të shmangur përsëritjen e dështimit të takimit në Anchorage. Ndërkohë, Bullgaria ka garantuar se do t’i lejojë Putin-it të kalojë nëpër hapësirën e saj ajrore për të shkuar në Hungari.

Presidenti ukrainas Zelensky ka shprehur dëshirën për të marrë pjesë: “Nëse do të ftohem në Budapest, nëse do të jetë një takim treshe ku presidenti Trump do të takohet me Putinin dhe me mua, atëherë në një formë apo tjetër do të gjejmë një marrëveshje.”

Në pritje të vendimit përfundimtar për raketat Tomahawk, Zelensky njoftoi se është gati të nënshkruajë një kontratë me SHBA-të për blerjen e 25 sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot: “Jemi afër fundit të luftës. Po përgatisim një gamë të plotë përgjigjesh, përfshirë forcimin e kapaciteteve tona me rreze të gjatë veprimi.”

Zelensky ka folur gjithashtu me presidentin francez Emmanuel Macron, i cili e ka mbështetur: “Kur diskutohet për fatin e Ukrainës, ukrainasit duhet të jenë në tryezë. Dhe kur diskutohet për ndikimin në sigurinë e evropianëve, evropianët duhet të jenë në tryezë.” Macron shtoi: “Paqja që mund të ekzistojë është një paqe solide dhe e qëndrueshme, që përmbush kërkesat e së drejtës ndërkombëtare dhe krijon kushte për stabilitet. Nuk ka paqe tjetër. Evropianët kanë qenë gjithmonë të qartë për këtë.”

Sipas mediave, liderët e vendeve të angazhuara do të zhvillojnë një takim të premten për t’u koordinuar përpara samitit të Budapestit.

Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin australian Anthony Albanese, Trump deklaroi: “Në këtë luftë mund të ndodhë gjithçka. Ukraina mund të fitojë ende. Nuk besoj se do t’ia dalë, por është e mundur.” Ai gjithashtu kritikoi Putinin për masakrat ndaj civilëve, një qëndrim më i ashpër krahasuar me takimin e së premtes me Zelenskyn, ku sipas Financial Times, Trump e kishte shtyrë atë të pranonte dorëzimin e “të gjithë Donbasit për të shmangur shkatërrimin”.

Të dielën në mbrëmje, presidenti e korrigjoi deklaratën: “Nuk kam folur kurrë për Donbasin me Putin-in. Mendoj se konflikti duhet të ndalet në vijën aktuale të frontit, ku Rusia kontrollon 78% të territorit. Pastaj mund të negociohet diçka”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco