Izraeli ka identifikuar trupin e një pengu të vrarë, i cili u kthye nga Hamasi, bëri të ditur ushtria izraelite të shtunën mbrëma.
Në një deklaratë zyrtare, Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan se pas përfundimit të procesit të identifikimit nga Instituti Kombëtar i Mjekësisë Ligjore, në bashkëpunim me Policinë izraelite dhe Rabinatin Ushtarak, familja e Ronen Tommy Engel u njoftua se trupi i tij është rikthyer për varrim.
Sipas IDF, Ronen Tommy Engel, 54 vjeç, u vra nga militantë të Hamasit më 7 tetor 2023, ndërsa përpiqej të mbronte familjen e tij nga sulmet në komunitetin Nir Oz. Pas vrasjes, trupi i tij u mor dhe u dërgua në Rripin e Gazës. Ai u shpall zyrtarisht i vdekur më 1 dhjetor 2023.
Ronen Engel lë pas gruan e tij, Karina, tre fëmijë dhe një vëlla. Gruaja dhe dy vajzat e tij, Mika dhe Yuval, u rrëmbyen gjithashtu nga Hamasi dhe u kthyen si pjesë e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve në nëntor të vitit 2023.
Ndërkohë, pak pas orës 22:00 të së shtunës ushtria izraelite konfirmoi se kishte pranuar dy trupa të tjerë pengjesh të vrarë, të dorëzuar nga Hamasi përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
© SYRI.net