Avokatët e Julian Assange kanë kërkuar nga drejtësia spanjolle dënimin me 20 vite burg për David Morales Guillen, ish-ushtarak dhe drejtues i një kompanie sigurie, të cilin e akuzojnë për spiunazh në favor të Shteteve të Bashkuara ndaj themeluesit të WikiLeaks, gjatë kohës që ky i fundit qëndronte i strehuar në ambasadën e Ekuadorit në Londër.
Sipas dokumenteve gjyqësore të cilat ka siguruar agjencia AFP, Morales akuzohet për shkelje të informacionit të klasifikuar, korrupsion, pastrim parash dhe posedim të paligjshëm të armëve.
Kompania e tij Undercover Global, me seli në Spanjë, kishte në dorë menaxhimin e sigurisë së ambasadës së Ekuadorit nga viti 2015 deri në 2018.
Hetimet e drejtësisë spanjolle kanë zbuluar se Morales kishte vendosur pajisje përgjimi për të përgjuar bisedat konfidenciale të Assange me avokatët dhe bashkëpunëtorët e tij, si dhe kishte ndarë informacione me “palë të treta”, përfshirë zyrtarë të qeverisë amerikane.
Në vitin 2016, gjatë një udhëtimi në Las Vegas, Morales dyshohet se u lidh me autoritete amerikane dhe nisi t’u transmetonte informacion të ndjeshëm.
Gjykatësi që po heton çështjen ka theksuar se në vitin 2017, Morales urdhëroi instalimin e kamerave të reja të afta për të regjistruar biseda të klasifikuara brenda ambasadës, ku Assange takohej me figura të rëndësishme, mes të cilëve avokati Baltasar Garzón, si dhe ish-presidentë të Amerikës Latine si:
Evo Morales (Bolivi),
Rafael Correa (Ekuador),
José Mujica (Uruguaj),
Cristina Kirchner (Argjentinë),
dhe Dilma Rousseff (Brazil).
Dokumentet gjyqësore gjithashtu tregojnë se sistemi i përgjimit kishte dy kanale transmetimi: një “zyrtar” për autoritetet ekuadoriane dhe një tjetër për “miqtë e SHBA-ve”, që u mundësonte akses në kohë reale në ambientet e brendshme të ambasadës.
Kujtojmë se Julian Assange u lirua nga burgu britanik Belmarsh në qershor të vitit 2024, pas një marrëveshjeje me autoritetet amerikane që kërkonin ekstradimin e tij. Më parë, ai kishte qëndruar për 7 vite në ambasadën e Ekuadorit në Londër për të shmangur ekstradimin në Suedi, për një akuzë për përdhunim e cila më vonë u tërhoq.
© SYRI.net