Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 21-të e protestës - 'Rama jepe dorëheqjen deri më 21 qershor'

E BUJSHME / Princ Andrew largohet nga Familja Mbretërore pas akuzave për lidhje me Epstein

E BUJSHME / Princ Andrew largohet nga Familja Mbretërore pas akuzave për lidhje me Epstein

23:44, 17/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një tjetër tronditje në Familjen Mbretërore britanike. Princi Andrew, djali i dytë i ndjerë i Mbretëreshës Elizabeth II, ka njoftuar sot se po heq dorë nga të gjithë titujt dhe nderimet mbretërore, pas presionit të vazhdueshëm publik dhe akuzave për lidhje me pedofilin e dënuar Jeffrey Epstein.

Në një deklaratë zyrtare të lëshuar nga Pallati Buckingham, thuhet se vendimi u mor “pas konsultimeve të gjata me Mbretin Charles III dhe anëtarët e tjerë të familjes”.

Princi Andrew, 65 vjeç, tha se “nuk dëshiron që polemikat rreth emrit të tij të dëmtojnë më tej reputacionin e monarkisë britanike”.

“Kam vendosur të tërhiqem përfundimisht nga çdo rol mbretëror dhe publik. Do të vazhdoj jetën si qytetar privat, duke respektuar institucionin dhe vendin që i shërbeva për dekada,” – thuhet në deklaratën e tij personale.

Akuzat dhe rruga drejt rënies

Emri i Princit Andrew është përfshirë në hetimet që lidhen me rrjetin e trafikut seksual të Jeffrey Epstein.
Në vitin 2022, ai arriti një marrëveshje jashtë gjykate me Virginia Giuffre, e cila e akuzonte për abuzim seksual kur ajo ishte 17 vjeç — një marrëveshje që, megjithëse nuk përfshinte pranimin e fajit, i kushtoi princit miliona paund dhe reputacionin publik.

Që prej atij momenti, Andrew ishte larguar nga të gjitha detyrat zyrtare, ndërsa Mbretëresha Elizabeth II ia kishte hequr titujt ushtarakë dhe patronazhet mbretërore. Sot, me dorëheqjen e plotë nga titujt e mbetur, përfshirë edhe “Duke of York”, karriera publike e princit përfundon zyrtarisht.

Reagimet në Londër

Burime nga Pallati kanë konfirmuar për mediat britanike se Mbretit Charles i ka ardhur “tepër e vështirë” të pranojë dorëheqjen e të vëllait, por se e ka konsideruar “të domosdoshme për ruajtjen e integritetit të kurorës”.

Sarah Ferguson, ish-bashkëshortja e Andrew, gjithashtu pritet të mos përdorë më titullin “Duchess of York”.

Çfarë pritet më tej

Princi Andrew do të mbetet ligjërisht “Princ”, pasi ky titull rrjedh nga lindja dhe kërkon një akt ligjor të veçantë për t’u hequr. 

Megjithatë, ai nuk do të ketë më rol apo status zyrtar në monarki dhe pritet të tërhiqet plotësisht nga jeta publike.

Ky është zhvillimi më i rëndësishëm në sagën që prej vitesh ka njollosur imazhin e familjes mbretërore dhe ka tronditur themelet e një institucioni që për shekuj ka ruajtur me kujdes reputacionin e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco