Një shpërthim i fuqishëm shkatërroi dy kate të një pallati apartamentesh në kryeqytetin e Rumanisë të premten, duke humbur jetën tre persona dhe duke lënduar të paktën 13 të tjerë, thanë autoritetet.
Shpërthimi preku katin e pestë dhe të gjashtë të ndërtesës tetëkatëshe, sipas Inspektoratit për Situata Emergjente të kryeqytetit.
"Të paktën 500 persona nuk do të jenë më në gjendje të hyjnë në shtëpitë e tyre. Bashkia, të gjithë kryetarët e bashkive të rretheve, prefektura, të gjitha këto struktura janë mobilizuar. Ne kemi një plan të fortë që po e zbatojmë ndërsa flasim", tha kryebashkiaku i përkohshëm i Bukureshtit, Stelian Bujduveanu.Dhjetëra automjete emergjente, duke përfshirë 11 zjarrfikëse dhe katër njësi mobile të kujdesit intensiv, u dërguan në vendin e shpërthimit në Calea Rahovei në Sektorin 5 të Bukureshtit.Shkaku i shpërthimit fatal nuk ishte menjëherë i qartë, por autoritetet thanë se furnizimi me gaz ishte ndërprerë në zonë si një masë paraprake sigurie.
Ministria e Shëndetësisë e Rumanisë tha se viktimat ishin raportuar me politraumë dhe djegie.
Ministria më vonë tha se një person u gjet i vdekur nën një pllakë betoni në katin e gjashtë të ndërtesës. Të paktën 13 persona u transportuan në spitalet në kryeqytet.Të gjithë banorët u evakuuan nga ndërtesa dhe ekipet e shpëtimit kryen operacione kërkimi, për të identifikuar të gjithë të bllokuarit.Nxënësit dhe mësuesit në një shkollë aty pranë u evakuuan gjithashtu si masë paraprake, tha Inspektorati Shkollor i Bukureshtit.
Kryeministri Ilie Bolojan tha se blloku i prekur nga shpërthimi do të duhet të shembet.© SYRI.net