Ish-Këshilltari për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton, është dorëzuar të premten pranë autoriteteve federale, pas një aktakuze me 18 akuza, të lidhura me trajtimin e papërshtatshëm të materialeve të klasifikuara.
Bolton është filmuar duke lënë shtëpinë e tij në Bethesda, Maryland, më herët gjatë ditës, ndërsa më pas ai është parë duke hyrë në gjykatën federale në Greenbelt, Maryland. Kur u pyet nga Fox News në vendngjarje nëse kishte ndonjë koment, ai zgjodhi të heshtte dhe hyri në ndërtesë pa thënë asnjë fjalë.
Sipas aktakuzës, Bolton përballet me tetë akuza për transmetim të informacionit të Mbrojtjes Kombëtare dhe dhjetë akuza për mbajtje të paligjshme të këtij informacioni.
“Që nga 9 prilli 2018 e deri më 22 gusht 2025, Bolton ka abuzuar me pozicionin e tij si Këshilltar për Sigurinë Kombëtare, duke shpërndarë mbi një mijë faqe informacion mbi aktivitetet e tij të përditshme – përfshirë informacione të klasifikuara deri në nivelin TOP SECRET/SCI – me dy individë të paautorizuar”, thuhet në aktakuzë.
Dokumentet e shpërndara, sipas aktakuzës, përmbanin informacione mbi:
-sulme të planifikuara nga një grup armik jashtë vendit,
-bashkëpunim të ndjeshëm të një vendi aleat me inteligjencën amerikane,
-planet e një fuqie të huaj për një lëshim raketash,
-si dhe një operacion sekret në një vend të huaj të lidhur me veprime të ndjeshme ndërqeveritare.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, tha:
“Hetimet e FBI-së zbuluan se John Bolton dyshohet se ka transmetuar informacion top sekret përmes llogarive personale online dhe ka ruajtur dokumentet në shtëpinë e tij, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ligjin federal. Ky rast u ndërtua mbi punën e përpiktë të profesionistëve të përkushtuar të FBI-së. Armatosja e drejtësisë nuk do të tolerohet.”
Shtëpia e Bolton-it në Maryland ishte bastisur nga FBI në gushtin e kaluar, me fokus te dokumentet e klasifikuara që ai dyshohej se mbante.
Në një deklaratë për Associated Press, Bolton tha:
“Tani, unë jam bërë objektivi i radhës në përpjekjet për të përdorur Departamentin e Drejtësisë për të ndjekur penalisht ata që [Donald Trump] i konsideron armiq – me akuza që më parë ishin hedhur poshtë ose me fakte të shtrembëruara.”
Avokati i tij, Abbe Lowell, shtoi për AP se “faktet bazë të këtij rasti janë hetuar dhe zgjidhur vite më parë.”
Lowell theksoi se Bolton, si shumë zyrtarë të tjerë, kishte mbajtur ditarë personalë, gjë që nuk përbën krim dhe se "nuk ka ndarë apo ruajtur në mënyrë të paligjshme asnjë informacion".
Sipas tij, akuzat lidhen me pjesë nga ditarët personalë të Bolton-it që janë ndarë vetëm me familjarët e afërt dhe që FBI kishte dijeni për to që prej vitit 2021.
© SYRI.net