Ushtria e Mianmarit kreu një sulm ajror shkatërrues mbi një turmë të mbledhur për Festivalin Budist të Dritës dhe njëkohësisht për demonstratat kundër juntës ushtarake, duke lënë pas më shumë se 40 të vrarë, mes tyre edhe fëmijë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës në Chaung U, në Mianmarin qendror, njoftuan anëtarët e komitetit organizues dhe dëshmitarë okularë.
Sipas organizatës për të drejtat e njeriut Amnesty International, e cila citon burime të pavarura, numri i viktimave mund të variojë nga 17 deri në 20 persona. Megjithatë, dëshmitarë në terren dhe mediat lokale konfirmojnë se mbi 40 civilë kanë humbur jetën, ndërsa rreth 80 të tjerë janë plagosur.
Turma prej mijëra qytetarësh ishte mbledhur për të shënuar fundin e agjërimit budist dhe për të protestuar kundër regjimit ushtarak kur, sipas raportimeve, një parashutë e motorizuar fluturoi mbi zonë dhe hodhi dy bomba në qendër të tubimit. Një pjesë e njerëzve arritën të largohen, por shumë të tjerë mbetën të bllokuar nën shpërthime.
“Një e treta e turmës arriti të shpëtonte, por bombat ranë drejtpërdrejt mbi njerëzit,” tha një anëtar i paidentifikuar i komitetit organizues, duke shtuar se disa nga viktimat janë varrosur sot, ndërsa trupat e të tjerëve ende po mblidhen.
Një dëshmitar, që mori pjesë në funeralin e nëntë miqve të tij, pohoi se paniku shpërtheu sapo turma pa fluturaken me motor sipër.
Ky është një nga sulmet më të përgjakshme të muajve të fundit në Mianmar, ku junta ushtarake vazhdon të përdorë dhunë ekstreme për të shuar protestat kundër saj.
© SYRI.net