Itali - Operacioni ‘Termine’/ Goditet trafiku ndërkombëtar i drogës – 71 persona të vënë nën masë ndalimi (VIDEO)

08:43, 06/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Alba Kepi/ Syri

Një operacion i gjerë kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike është zhvilluar që nga orët e para të mëngjesit të sotëm nga Karabinierët e Komandës Provinciale të Cagliari-t, nën koordinimin e Drejtorisë së Antimafias të Cagliari-t.

Operacioni, i koduar me emrin “Termine”, ka përfshirë disa rajone të Italisë, përfshirë Cagliari, Nuoro, Oristano, Sassari, Romë, Pisa, Biella, Vicenza dhe Macerata. Forcat e rendit po ekzekutojnë 71 masa sigurie ndaj personave të dyshuar për pjesëmarrje në organizim kriminale të strukturuar, me qëllim trafikun e drogës, posedimin dhe shpërndarjen e substancave narkotike, si edhe mbajtjen e paligjshme të armëve të zjarrit.

Në këtë aksion marrin pjesë mbi katërqind karabinierë, të mbështetur nga repartet lokale, Skuadra Ajrore “Cacciatori Sardegna”, Njësitë Kinefile dhe Njësia e 11-të e Helikopterëve të Cagliari-t.

Operacioni “Termine” përfaqëson një tjetër goditje të rëndësishme ndaj rrjeteve të trafikut ndërkombëtar të drogës, të cilat vepronin në disa zona të Italisë, duke shfrytëzuar lidhje ndërrajonale dhe kanale të organizuara shpërndarjeje.

Detajet e plota të operacionit pritet të bëhen të ditura gjatë konferencës për shtyp që do të mbahet në Prokurorinë e Republikës në Cagliari, në orën 11:00.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco