Tre shtetas kroatë janë zhdukur pas një orteku nën majën Tosc (2,275 metra) në Alpet Juliane, ndërsa Shërbimi Slloven i Shpëtimit Malor ka nisur një operacion kërkimi, bëri të ditur Departamenti i Policisë së Kranjit.
Grupi i përbërë nga shtatë persona u nis drejt majës, por katër qëndruan në Vodnikov Dom në Velo Polje, ndërsa tre të tjerë vazhduan ngjitjen pavarësisht kushteve të rënda atmosferike. Pikërisht gjatë kësaj ngjitjeje ata dyshohet se u përfshinë nga një ortek.
Helikopteri i shpëtimit nuk ka mundur të ngrihet për shkak të motit të keq, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit po përballen me rrezik të lartë të orteqeve të reja, reshje të dendura bore dhe temperatura të ulëta. “Ekipet janë duke shkuar drejt tyre, por është shumë e vështirë. Po bie shumë borë dhe bën ftohtë”, deklaroi Klemen Belhar nga Shërbimi Slloven i Shpëtimit Malor.
Një valë e ftohtë ka goditur Slloveninë që në orët e para të mëngjesit, duke sjellë reshje të shumta bore. Në rajonin Gorenjska, vija e borës ka zbritur deri në 800 metra mbi nivelin e detit, ndërsa në disa zona, si Rateçe dhe Bohinj, trashësia e borës ka kaluar 20 centimetra.
Ende nuk dihet saktësisht cili shteg u ndoq nga tre alpinistët kroatë, por sipas autoriteteve, rrugët drejt majës Tosc zgjasin nga katër deri në gjashtë orë dhe konsiderohen të vështira për shkak të terrenit malor.
Operacioni i shpëtimit vijon me vështirësi dhe autoritetet paralajmërojnë se kushtet e motit mund ta zgjasin misionin.
© SYRI.net