Prokuroria Kombëtare e Polonisë po heton një komplot të dyshuar rus, që përfshinte futjen në vend të kanaçeve ushqimore me etiketa “misër”, por të mbushura me eksplozivë, raportojnë mediat polake.
Sipas gazetës Gazeta Wyborcza, burime nga Prokuroria Kombëtare dhe Agjencia e Sigurisë së Brendshme (ABË) konfirmuan rastin.
I dyshuari është një shtetas ukrainas, i identifikuar vetëm si Władysław D., që dyshohet se ka lidhje me shërbimin e inteligjencës ushtarake ruse (GRU).
Sipas burimeve, person ka transportuar kanaçet nga një varrezë në Lituani dhe i ka lënë ato pranë qytetit Lodz në qendër të Polonisë.
Sipas një eksperti ushtarak, sasia e eksplozivëve që besohet se ishte përdorur mund të shkaktonte dëmtime të mëdha në automjete dhe plagë serioze për njerëzit që do të gjendeshin pranë.
Koordinatori i shërbimeve speciale të Polonisë, Tomasz Siemoniak, deklaroi se GRU kishte planifikuar operacione sabotazhi në Poloni, Lituani dhe Gjermani, duke përdorur eksplozivë të fshehur në kanaçe.
Hetuesit dyshojnë se kanaçet ishin planifikuar të përdoren si ngarkesë shpërthyese në dronë për të kryer sulme.
Megjithëse nuk është bërë publik motivi i sulmeve të planifikuara, mbështetja e fortë e Polonisë për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit të plotë nga Rusia, shihet si një arsye e mundshme.
Polonia ka ofruar rreth 3.3 miliardë euro ndihmë ushtarake dhe humanitare për Kievin dhe ka strehuar afro 1 milion refugjatë ukrainas, shumica gra dhe fëmijë.
Prokuroria polake e cilësoi hetimin si pjesë e një hetimi më të gjerë për operacionet e luftës hibride të Rusisë në Evropë.
Ky zbulim ndodh në një kohë kur ka pasur disa shkelje të hapësirës ajrore në vende evropiane, për të cilat Rusia dyshohet se qëndron pas.
© SYRI.net