Në spitalin Naser të Gazës, djaloshi Mahmoud lëngon në shtrat , pasi ka marrë një plagë nga plumbi në këmbën e majtë. Gjuri i tij është thyer dhe plagë është infektuar. Ai përjeton dhimbje të mëdha, por mjekët nuk kanë analgjezikë për të lehtësuar vuajtjet e tij. I jepet një qetësues nervor që e ndalon të ndjejë dhimbjen përkohësisht, duke i mundësuar të flejë pak, por sapo efektet kalojnë, dhimbjet rikthehen…
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga 7 tetori 2023, më shumë se 167 mijë palestinezë janë plagosur në këtë territor. Nga djegiet dhe plagët nga shpërthimet, deri te humbja e gjymtyrëve dhe thyerjet e kockave, spitalet e Gazës janë mbingarkuar me pacientë.
Por mungesa dramatike e barnave bën që mjekët të kenë shumë pak mundësi për t’i ndihmuar. Trajtimet dhe operacionet kryhen pa anestezi adekuate, ndërsa analgjezikët që ekzistojnë duhet të racionohen me kujdes.
Një analizë e kryer nga The Bureau of Investigative Journalism (TBIJ) tregon se më shumë se gjysma e misioneve mjekësore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Gaza që nga janari 2024, përfshirë furnizimet me barna dhe karburant për spitalet, dërgimin e stafit dhe evakuimin e pacientëve, janë refuzuar, vonuar, penguar ose anuluar.
TBIJ ka biseduar me tetë mjekë në Gaza, të cilët përshkruajnë mungesën alarmante të barnave për lehtësimin e dhimbjeve, përfshirë opioidët, anestezikët dhe madje edhe paracetamolin.
“Më shumë se gjysma e plagëve janë amputime ose thyerje të hapura”, thotë mjeku ortoped Abdelkareem Alsalqawi.
“Këto janë plagë me dhimbje të forta që kërkojnë analgjezikë 24 orë në ditë. Por tani u themi pacientëve: vetëm një injeksion në ditë… përdoreni atë natën që të mund të flini.”
Në korrik, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se do të lejohej hyrja e “furnizimeve minimale humanitare” në Gaza. Por agjencitë ndihmëse dhe mjekët në terren raportojnë një kolaps pothuajse total të zinxhirit të furnizimit mjekësor.
“Qartë që nga marsi kemi kaluar muaj të tërë pa lejuar asgjë të hyjë”, thotë Dr. Randa Abu Rabe nga zyra e OBSH-së për territoret e pushtuara palestineze. “Nuk janë vetëm medikamentet, mungojnë edhe instrumentet e pajisjet.”
Koordinatori izraelit për aktivitetet qeveritare në territore (Cogat) deklaron se “Izraeli lejon dhe lehtëson hyrjen e pajisjeve dhe barnave mjekësore, me kusht koordinimin paraprak. Si provë, vetëm javët e fundit janë transferuar mbi 3 mijë e 500 tonë pajisje mjekësore.”
Kjo deklaratë sfidohet nga organizatat ndihmëse dhe mjekët që përballen me mungesa të thella. Ata thonë se dërgesat vonohen për javë ose muaj në kufi dhe kërkesat injorohen. Izraeli nuk ka publikuar kurrë një listë zyrtare të plotë të sendeve të ndaluara, por shpërndan lista të ndryshueshme tek agjencitë ndërkombëtare.
Tania Hary, drejtoreshë e qendrës ligjore Gisha, thotë se mungesat agravohen nga dështimi i sistemeve të sigurta të shpërndarjes brenda Gazës.
“Përveç kufizimeve në kufi, shkatërrimi i rendit publik dhe plaçkitjet kanë krijuar pengesa për të futur ndihmat, përfshirë edhe sende të shtrenjta dhe të ndjeshme si barnat dhe pajisjet mjekësore”, tha Hary. “Mungesa e aksesit nuk mund të fajësohet vetëm në kufizimet në hyrje, por edhe në pengesat për shpërndarjen e ndikuara nga shumë faktorë,shumica prej të cilëve lidhen me mënyrën se si Izraeli po zhvillon luftën dhe politikën e tij mbi aksesin.”
Travis Melin, mjek amerikan në vizitë në Gaza, thotë se nuk mund të kuptojë arsyen e kufizimeve të barnave. “Opioidët janë thjesht një kujdes shtrëngues, nuk kanë ndonjë qëllim tjetër” , tha ai. “Nuk të bëjnë të jetosh më gjatë, nuk rrisin shanset për mbijetesë, nuk kanë ndonjë përfitim ndaj mortalitetit.”
Opioidët janë rationuar shumë fort. Mjekët përshkruajnë dhënien e vetëm një injeksioni në ditë për pacientët, duke i lënë ata të përjetojnë dhimbje të mëdha për orë të tëra.
© SYRI.net