Tre MiG rusë në hapësirën ajrore, dy të tjerë fluturojnë mbi Baltik! Estonia aktivzion nenin 4 të NATO-s, Kallas: Rusia po na teston

Tre MiG rusë në hapësirën ajrore, dy të tjerë fluturojnë mbi Baltik! Estonia aktivzion nenin 4 të NATO-s, Kallas: Rusia po na teston

19:47, 19/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Tensionet rriten mes aleancës ushtarake të NATO-s dhe Rusisë që nga kur Moska nisi një pushtim e Ukrainës në vitin 2022. Tre avionë luftarakë rusë, MiG-31, hynë në hapësirën ajrore të Estonisë më 19 shtator, disa orë pasi Komisioni Evropian propozoi paketën e 19-të të sanksioneve ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Incidenti u konfirmua edhe nga NATO.

"Më herët gjatë ditës, avionët rusë shkelën hapësirën ajrore estoneze. NATO-ja u përgjigj menjëherë dhe pengoi avionët rusë. Ky është edhe një shembull i sjelljes së pamatur të Rusisë dhe aftësisë së NATO-s për t'u përgjigjur", tha zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, përmes një postimi në X.

Aktivizohet neni 4

Kryeministri estonez Kristen Michal përmes një postimi në X njoftoi se ka aktivizuar nenin 4 të NATO-s, duke kërkuar konsultime me aleatët, lidhur me shkeljen e hapësirës ajrore nga avionët MiG rusë.

Ndërkohë Policia Kufitare e Polonisë njoftoi se dy avionë luftarakë rusë kanë shkelur zonën e sigurisë së platformës së eksplorimit të naftës dhe gazit Petrobaltic në Detin Baltik, duke fluturuar në lartësi të ulët mbi të.

“Forcat e Armatosura polake dhe autoritetet e tjera janë njoftuar”, deklaroi policia, e cituar nga The Guardian.

Reagon BE

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas tha se Rusia po teston kufijtë e BE-së.

“Është e qartë se Rusia po teston deri ku mund të shkojë” u shpreh nga Brazíli përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikën e jashtme, Kaja Kallas, kur u pyet lidhur me avionët rusë në Estoni.

“Për nga ana jonë – shtoi ajo – nuk duhet të tregojmë dobësi, sepse dobësia është një ftesë për të shkuar më tej. Përgjigjja jonë duhet të jetë shtimi i presionit në mënyrë që edhe Rusia të ulet në tryezën e negociatave”.

Sipas Ushtrisë së Estonisë, aeroplanët rusë u penguan nga forcat italiane me bazë në Amari të Estonisë, si pjesë e një misioni të mbrojtjes ajrore mbi detin baltik.

Reagon Rumania

Edhe Rumania e quajti ‘veprim të papërgjegjshëm shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë"

“Kjo është ajo që ndodh kur një agresor e kupton koston e luftës dhe përpiqet të provokojë përshkallëzim për ta shmangur këtë kosto me çdo mjet të mundshëm” shkroi pasditen e sotme në llogarinë e saj në X ministrja e Jashtme rumune, Oana Silvia Toiu.

“Ai është edhe një arsye më shumë për të miratuar dhe zbatuar paketën e 19-të të sanksioneve”, shtoi ajo.

incidenti i dyte brenda pak ditesh

Incidenti vjen pasi së fundi dronë rusë hynë në hapësirat ajrore të Polonisë dhe Rumanisë, po ashtu anëtare të aleancës ushtarake perëndimore.

Më 10 shtator, Polonia njoftoi se kishte rrëzuar disa dronë rusë, pasi 19 prej tyre hynë në hapësirën e saj ajrore.

Kjo ishte hera e parë që NATO-ja hapi zjarr ndaj fluturakeve ruse që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës më 2022, duke e përkeqësuar ndjeshëm situatën tashmë të tensionuar mes Moskës dhe aleancës ushtarake perëndimore.

Ndërkaq, më 14 shtator, Rumania po ashtu raportoi se një dron rus kishte qëndruar në hapësirën e saj ajrore për 50 minuta dhe më pas ishte nisur drejt Ukrainës.

Njoftimi për shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga fluturaket ruse erdhi disa orë pasi shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë prezantimit të paketës së re të sanksioneve, përmendi inkursionet me dronë.

“Sërish, presidenti [i Rusisë, Vladimir] Putin, ka përshkallëzuar situatën dhe si kundërpërgjigje, Evropa po rrit presionin”, tha ajo.

Von der Leyen tha se paketa e re kryesisht do të godasë të ardhurat e Rusisë nga karburantet fosile, të ardhura që Rusia i përdor për luftën kundër Ukrainës.

Çfarë është neni 4 i NATO-s 

Nenin 4 të traktatit të NATO-s, i cili nënkupton mbledhjen e detyrueshme të anëtarëve. Kjo është hera e dytë që një gjë e tillë ndodh që nga shkurti i vitit 2022. Por, ky nen është më pak serioz sesa Neni 5 i traktatit “një për të gjithë, të gjithë për një?

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco