Vendet skandinave regjistrojnë nivelet më të larta të besimit në institucionet ndërkombëtare në botë, sipas një raporti të ri të Fondacionit Rockefeller. Kombet e Bashkuara (OKB) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dalin si më të besuarat, me Suedinë dhe Norvegjinë në krye: 64% e suedezëve dhe norvegjezëve i besojnë OKB-së, ndërsa 69% i besojnë OBSH-së.
Sondazhi, i cili përfshiu më shumë se 36,000 njerëz nga 34 vende, tregon se publiku global e konsideron bashkëpunimin ndërkombëtar të domosdoshëm për sfidat globale, përfshirë sigurinë e ushqimit (93% e të anketuarve), shëndetin global (91%) dhe klimën (86%). Megjithatë, besimi në institucionet që adresojnë këto çështje mbetet më i ulët: OBSH-ja vlerësohet nga 60% e të anketuarve, ndërsa OKB-ja nga 58%.
Në pjesë të tjera të Evropës, nivelet e besimit janë dukshëm më të ulëta. Në Evropën Qendrore dhe Lindore (Poloni, Hungari, Rumani) dhe Evropën Perëndimore (Itali, Francë, Gjermani, Spanjë, Mbretëria e Bashkuar), besimi në OKB dhe OBSH është vetëm pak mbi 50%. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) shënuan nivel më të ulët besimi, përkatësisht 44% dhe 46%. Në Evropë, besimi në FMN është veçanërisht i dobët, duke shënuar vetëm 39% në Evropën Perëndimore dhe 41% në Evropën Lindore, ndërsa në Skandinavi arrin 50%.
Globalisht, Afrika Sub-Sahariane shënon nivelet më të larta të besimit te institucionet ndërkombëtare, me vende si Nigeria, Afrika e Jugut, Kenia dhe Gana që e mbështesin fuqishëm OBSH-në (85%). Edhe institucionet me besim më të ulët në rajon, si FMN dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale, arrijnë 70%, më shumë se në pjesën tjetër të botës.
Në të kundërt, besimi më i ulët regjistrohet në Turqi, Arabinë Saudite dhe Egjipt, ku vetëm Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut kalon pragun 50%. Bashkimi Afrikan regjistron nivelin më të ulët global, vetëm 41% besim nga të anketuarit.
© SYRI.net