Një përplasje e ashpër diplomatike mes Francës dhe Algjerisë është cilësuar nga burime diplomatike si “kriza më e madhe” që prej pavarësisë së Algjerisë në vitin 1962. Euronews raporton se tensionet, të ndezura fillimisht nga debati mbi Saharanë Perëndimore, janë përshkallëzuar pas ndalimit dhe dënimit të shkrimtarit franko-algjerian Boualem Sansal dhe gazetarit francez Christophe Gleizes, të cilët morën pesë dhe shtatë vite burg.
Ngërçi është thelluar më tej me dëbime reciproke diplomatike. Në gusht, presidenti Emmanuel Macron vendosi kufizime për vizat e diplomatëve algjerianë, duke pezulluar një marrëveshje të vitit 2013. Ky vendim u pasua edhe nga njoftimi i ministrit të Brendshëm Bruno Retailleau ndaj partnerëve të Shengenit, që rezultoi me refuzimin e hyrjes së një diplomati algjerian në Spanjë.
Ekspertët theksojnë se kriza aktuale ka rrënjë historike. Lufta tetëvjeçare për pavarësi, kolonializmi francez dhe episodet e mëvonshme – si nacionalizimi i burimeve natyrore dhe ligjet franceze mbi “ndikimet pozitive” të kolonializmit – vazhdojnë të ushqejnë mosbesimin.
“Diplomatët algjerianë që tani duhet të marrin vizë si kushdo tjetër është një poshtërim simbolik”, tha profesori James McDoogle nga Universiteti i Oksfordit. Ndërsa analistja Dalia Ghanem nënvizoi se politika e jashtme e Algjerisë mbetet e ndikuar nga trashëgimia antikoloniale dhe vetëmbrojtja.
Kriza është nxitur gjithashtu nga mbështetja e Algjerisë për Frontin Polisario dhe nga vendimi i Macron për të afruar marrëdhëniet me Marokun, duke mbështetur pretendimet e Rabatit mbi Saharanë Perëndimore – një hap që zemëroi fort Algjerin.
Në të dyja anët, politika e brendshme ka luajtur rol kyç. Macron, nën presion nga e djathta ekstreme, ka ashpërsuar tonet ndaj Algjerisë, ndërsa presidenti Abdelmadjid Tebboune po shfrytëzon retorikën nacionaliste për të forcuar pushtetin e tij.
Pas një periudhe shprese për pajtim në fund të viteve 2010, marrëdhëniet janë kthyer në një spiral përshkallëzimi. Sot, zërat më të fortë në të dyja vendet nuk flasin për kompromis, por për konfrontim.
Shkrimtari i njohur algjerian Kamel Daoud e përmblodhi klimën e sotme: “Sa herë që shoh algjerianë të rinj, ata e urrejnë Francën më shumë sesa prindërit e mi, të cilët jetuan kolonizimin.”/ Euronews - Syri.Net
© SYRI.net