Presidenti amerikan, Donald Trump, ka dhënë një paralajmërim të fortë ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, duke deklaruar se durimi i tij “po mbaron dhe po mbaron shpejt”. Deklarata u bë gjatë një interviste për Fox News, pak minuta më parë.
“Por duhen dy për të kërcyer tangon. Është e habitshme kur donte Putini, Zelensky s’donte. Kur donte Zelensky, Putini s’donte. Tani që Zelensky do, Putini është pikëpyetje... Por ne do të duhet të reagojmë shumë, shumë ashpër,” u shpreh Trump, duke lënë të kuptohet se SHBA mund të ndërmarrë masa më të forta në raport me Moskën.
I pyetur për incidentin e fundit në Poloni, ku dyshohet se disa dronë rusë kanë rënë në territorin polak, Trump komentoi:
“Nuk do të mbroj askënd përveç Polonisë. Ata [dronët] në fakt u rrëzuan dhe ranë në një zonë, por nuk duhet të jesh afër Polonisë në radhë të parë.”
Komentet e Trump kanë ngritur pikëpyetje të reja për rrethanat e incidentit, ndërkohë që disa media kanë vënë në dyshim versionin zyrtar, duke theksuar se pretendimi se dronët thjesht “ranë aksidentalisht” në Poloni është i vështirë për t’u justifikuar, kur shihen koordinatat në hartë.
Polonia hodhi poshtë këtë të premte sugjerimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se shpërthimet e dronëve në hapësirën ajrore të Polonisë mund të kenë qenë një gabim, duke i përshkruar ato si një sulm të qëllimshëm rus.
Polonia, e mbështetur nga avionë të aleatëve të saj të NATO-s, rrëzoi dronët që kishin shkelur hapësirën ajrore të saj të mërkurën, hera e parë që një anëtar i aleancës perëndimore ka ndërmarrë një veprim të tillë gjatë luftës së Rusisë në Ukrainë.
© SYRI.net