Bundestagu gjerman i hoqi të enjten imunitetin politikanit të diskutueshëm të ekstremit të djathtë, Maximilian Krah, ndërsa autoritetet intensifikuan një hetim për korrupsion.
Një zëdhënës nga Zyra e Prokurorit Publik të Dresdenit i tha POLITICO-s, se po hetonte “një anëtar të Bundestagut gjerman” për pastrim parash dhe korrupsion, që përfshinte pagesa nga Kina.
Krah, i cili është një figurë e shquar brenda partisë Alternativa për Gjermaninë, ka shërbyer si anëtar i parlamentit gjerman që nga zgjedhjet federale të shkurtit. Përpara kësaj, ai ishte eurodeputet në Bruksel, ku u hetua për spiunazh në Kinë.
Sipas Prokurorit Publik të Dresdenit, policia kontrolloi zyra dhe apartamente të enjten në Berlin, Dresden, Limbach-Oberfrohna në Saksoni, si dhe në Bruksel. Krah u zhvendos në Limbach-Oberfrohna në fillim të këtij viti. Ai konfirmoi se zyrat e tij u kontrolluan.
Krah i kritikoi bastisjet si një akt “frikësimi” dhe tha se çështja ishte “e motivuar politikisht”. Ai gjithashtu i quajti akuzat “absurde”.
Krah konsiderohej një politikan i vijës së ashpër brenda AfD-së, por në javët e fundit është përpjekur të ndjekë një kurs më të moderuar mbi imigracionin - duke humbur mbështetjen nga aktivistët me ndikim të së djathtës ekstreme - ndërsa kërkon të tërheqë votuesit gjermanë me prejardhje nga migracioni./ Politico.
© SYRI.net