Tre grupe palestineze të sanksionuara nga Departamenti i Shtetit për përpjekjet për të ndihmuar në ndjekjet penale të Gjykatës Ndërkombëtare Penale ndaj zyrtarëve izraelitë kanë lidhje me grupe të shpallura terroriste dhe kanë marrë financime nga europianë dhe fondacione të lidhura me George Sorosin.
Javën e kaluar, Departamenti i Shtetit njoftoi sanksione kundër Al Haq, Al Mezan Center for Human Rights (Al Mezan) dhe Palestinian Centre for Human Rights (PCHR), tri organizata palestineze për të drejtat e njeriut, për ndihmën e dhënë në përpjekjen e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të "hetuar, arrestuar, ndaluar ose ndjekur penalisht shtetas izraelitë, pa pëlqimin e Izraelit."
As Shtetet e Bashkuara dhe as Izraeli nuk janë nënshkruese të traktatit që krijoi gjykatën dhe për këtë arsye, sipas SHBA-së, nuk janë subjekt i juridiksionit të saj.
"Kjo administratë ka qenë e qartë: Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nuk janë palë të Statutit të Romës dhe për këtë arsye nuk i nënshtrohen autoritetit të GJNP-së. Ne kundërshtojmë agjendën e politizuar të GJNP-së, tejkalimin e kompetencave të saj dhe shpërfilljen e sovranitetit të Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve tanë," tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë.
"Veprimet e vazhdueshme të GJNP-së vendosin një precedent të rrezikshëm për të gjitha kombet dhe ne do të kundërshtojmë në mënyrë aktive veprime që kërcënojnë interesat tona kombëtare dhe cenojnë sovranitetin e SHBA-së dhe të aleatëve tanë, përfshirë Izraelin," vijonte deklarata.
Më pak se një muaj pas nisjes së mandatit, ish-presidenti Donald Trump vendosi sanksione ndaj GJNP-së për veprimet e saj të mëparshme kundër qytetarëve amerikanë dhe hetimeve që shënjestronin Izraelin.
Njoftimi i javës së kaluar i zgjeroi sanksionet edhe mbi tre grupet palestineze, pasi ato paraqitën observime të përbashkëta me shkrim në GJNP lidhur me proceset mbi "SITUATËN NË SHTETIN E PALESTINËS."
Në atë dokument, grupet argumentonin se asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk e pengon GJNP-në të kërkojë urdhër arreste ndaj zyrtarëve izraelitë. Po ashtu, ato sugjeruan që gjykata të shtonte akuza për "gjenocid, aparteid dhe krime të lidhura me vendbanimet" kundër kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe Ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant.
Të tre grupet palestineze nuk zbulojnë burimet e tyre të financimit, por kanë lidhje të dokumentuara me grupe të shpallura terroriste dhe kanë marrë financime nga disa qeveri perëndimore dhe organizata filantropike amerikane, sipas provave të shqyrtuara. Burime që tani mund të ndërpriten, në bazë të urdhrit ekzekutiv të presidentit për vendosjen e sanksioneve.
Al-Haq, që prezantohet si "një organizatë e pavarur palestineze joqeveritare për të drejtat e njeriut" me seli në Ramallah, u kritikua pas sulmit terrorist të Hamasit me 7 tetor 2023, për justifikimin dhe minimizimin e dhunës.
Një ditë pas sulmit, Al-Haq firmosi një deklaratë që e justifikonte dhunën vdekjeprurëse ndaj civilëve izraelitë si "përgjigje ndaj krimeve në rritje të Izraelit ndaj popullit palestinez." Në deklaratë u bashkuan edhe dy grupet e tjera të sanksionuara.
Megjithëse grupi nuk ka bërë publike të dhënat financiare që nga viti 2009, raportet tregojnë se gjatë dekadës së fundit ka marrë fonde nga disa qeveri europiane dhe organizata filantropike amerikane. Sipas "NGO Monitor" me seli në Jerusalem, Al-Haq ka marrë fonde në periudha të ndryshme nga Franca, Italia, Spanja, Suedia dhe Bashkimi Europian.
Gjithashtu ka marrë mbi 2 milionë dollarë nga fondacionet "Open Society" të George Sorosit nga viti 2016 deri në 2020.
Gjermania gjithashtu e financonte organizatën, por vendosi të ndalonte financimin në nëntor 2023, për shkak të shqetësimeve se Al-Haq po mbështeste rezistencën e armatosur kundër Izraelit.
Një zëdhënës i Ministrisë Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim tha për gazetën Deutsche Welle se organizatat që mbështesin rezistencën e armatosur nuk janë partnerë të përshtatshëm.
Izraeli e shpalli Al-Haq grup terrorist në vitin 2021, duke pretenduar se ishte pjesë e një "rrjeti organizatash" që operon në emër të Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës (PFLP), një organizatë marksiste që kërkon zgjidhjen me një shtet të vetëm dhe që është shpallur terroriste si nga Izraeli, ashtu edhe nga SHBA-ja.
Izraeli ka pretenduar se drejtori i përgjithshëm i Al-Haq, Shawn Jabarin, ka lidhje të drejtpërdrejta me PFLP-në, megjithëse ai i mohon. Sidoqoftë, Jabarin mori pjesë në një aktivitet të organizuar nga PFLP-ja dhe doli gjithashtu në një panel së bashku me ish-udhëheqësin e Hamasit, Yahya Sinwar, që u shfaq virtualisht.
Edhe Al Mezan Center for Human Rights, sipas faqes së tij zyrtare, është i përkushtuar ndaj promovimit "të të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore" në "Palestinën e pushtuar." Ai synon të monitorojë dhe dokumentojë shkeljet e të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar.
Grupi firmosi deklaratën e 8 tetorit 2023 që dukej se justifikonte sulmin brutal të Hamasit dhe, sipas kërkimeve të "NGO Monitor", është në qendër të "fushatave ligjore kundër Izraelit." Si Al-Haq, edhe ky grup duket se ka lidhje me PFLP-në dhe nuk i publikon burimet e financimit.
Ka marrë fonde nga vende perëndimore dhe organizata filantropike, përfshirë Bashkimin Europian, Holandën, Diakonia, American Friends Service Committee (AFSC) dhe Medico International (Gjermani).
Fondacionet "Open Society" të Sorosit i kanë dhënë Al Mezan mbi 1 milionë dollarë nga 2019 deri në 2023 për "monitorimin dhe dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe të drejtës humanitare ndërkombëtare." Këto aktivitete çuan grupin në konflikt me Departamentin e Shtetit.
Vitin e kaluar, fondacioni tha se ishte "krenar që është ndër shumë financuesit ndërkombëtarë të Al Mezanit, së bashku me BE-në dhe qeveritë, përfshirë Suedinë dhe Holandën."
Ndërkohë, Palestinian Centre for Human Rights (PCHR) ka marrë financime nga një gamë edhe më e gjerë donatorësh, përfshirë Francën, Irlandën, Spanjën, BE-në, Open Society Institute dhe disa organizata private europiane.
Themeluesi dhe drejtori i PCHR-së u dënua nga një gjykatë izraelite në vitet 1970 për anëtarësi në PFLP dhe u burgos katër herë nga 1979 deri më 1986, sipas NGO Monitor.
PCHR, së bashku me Al-Mezan dhe Al-Haq, ka marrë pjesë për vite me radhë në një fushatë në GJNP për ta hetuar Izraelin për akuza gjenocidi, shumë përpara se të niste lufta me Hamasin. Ata për herë të parë paraqitën materiale hetimore në GJNP në vitin 2014, duke pretenduar se përmbanin prova të krimeve të luftës nga Izraeli gjatë konfliktit të shkurtër me Hamasin. / Just The News - Syri.net
© SYRI.net