Kush është Charlie Kirk, organizatori i të rinjve konservatorë dhe aleati i Trump?

Kush është Charlie Kirk, organizatori i të rinjve konservatorë dhe aleati i Trump?

22:42, 10/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Charlie Kirk është një nga figurat më të spikatura të aktivizmit konservator në SHBA, një personalitet i njohur mediatik dhe një nga aleatët më të besuar të presidentit Donald Trump.

Të mërkurën, ai u qëllua në një kolegj në Utah, duke tërhequr edhe më shumë vëmendjen publike mbi profilin e tij. Kirk është i njohur për debatet që zhvillon në ajër të hapur në kampuset universitare në të gjithë vendin, ku shpesh përballet me studentë mbi tema të debatueshme si identiteti transgjinor, ndryshimet klimatike, besimi dhe vlerat tradicionale familjare.

Në vitin 2012, vetëm 18 vjeç, ai bashkëthemeloi Turning Point USA (TPUSA), një organizatë studentore me qëllim përhapjen e ideve konservatore në kolegjet amerikane, të cilat njihen zakonisht për prirje liberale. Sot, TPUSA ka degë në më shumë se 850 kolegje në të gjithë SHBA-në dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në politikën republikane, sidomos në mbështetjen e Trump dhe të kandidatëve të tjerë të djathtë.

I lindur dhe rritur në Prospect Heights, një periferi e pasur e Çikagos, Kirk është biri i një arkitekti. Ai ndoqi një kolegj komunitar pranë Çikagos, por më pas e braktisi për t’iu përkushtuar plotësisht aktivizmit politik. Edhe pse nuk përfundoi një diplomë universitare – pas një aplikimi të pasuksesshëm në akademinë elitare ushtarake West Point – Kirk shpesh ironizon këtë fakt gjatë debateve me akademikë dhe studentë, duke e përdorur si pikë force për të sfiduar elitizmin akademik.

Karriera e tij politike mori hov pas rizgjedhjes së Presidentit Barack Obama në vitin 2012. Kirk udhëtoi nëpër vend për të marrë pjesë në aktivitete republikane, shumë prej tyre të lidhura me lëvizjen ultrakonservatore Tea Party. Aktivizmi i tij e ktheu TPUSA në një organizatë influente, e cila ka kontribuar në regjistrimin e dhjetëra mijëra votuesve të rinj dhe madje ka luajtur rol në kthimin e shtetit të Arizonës në favor të Trump.

Kirk është gjithashtu një folës i shquar publik. Në fillim të këtij viti ai mbajti një fjalim në Oxford Union dhe në vitin 2020 botoi librin bestseller The Maga Doctrine. Përveç aktiviteteve politike, ai është aktiv në rrjetet sociale dhe drejton një podkast të përditshëm që mbart emrin e tij, ku shpërndan mesazhe dhe debate që rezonojnë me bazën konservatore.

Marrëdhënia e tij me Trump është e ngushtë. Ai ka marrë pjesë në inaugurimin e tij në janar në Uashington DC dhe ka qenë një vizitor i rregullt në Shtëpinë e Bardhë gjatë dy mandateve të Trump. Vetë presidenti dhe stafi i tij e kanë cilësuar Kirk si një “antene politike” për bazën e lëvizjes “Make America Great Again”.

Në një rast tjetër, Kirk udhëtoi me djalin e Trump, Donald Trump Jr., në Groenlandë, ndërsa Trump vetë sugjeronte që SHBA duhej të zotëronte territorin e Arktikut.

Në jetën personale, Kirk është një i krishterë ungjillor. Ai është i martuar me podkasteren Erika Frantzve, ish-Miss Arizona USA, me të cilën ka dy fëmijë. Familja e tyre jeton në Scottsdale, Arizona.

Ndoshta vlerësimi më i madh për kontributin e tij erdhi nga vetë Trump, i cili në një klip të transmetuar në podkastin e Kirk e quajti atë një “djalë të jashtëzakonshëm” dhe lavdëroi shpirtin e tij patriotik, duke theksuar rolin e madh që ka pasur në ndërtimin e një prej organizatave rinore më të fuqishme në politikën amerikane. Charlie Kirk mbetet një nga figurat më me ndikim të gjeneratës së re konservatore në SHBA, duke ndërtuar ura mes të rinjve dhe elitës republikane, gjithmonë nën hijen e mbështetjes së fortë nga Donald Trump.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco