Shkelja e hapësirës ajrore të Polonisë nga dronë rusë ka shkaktuar reagime të forta nga aleatët kryesorë të NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Gjermaninë, duke rritur ndjeshëm tensionet në kufijtë lindorë të Aleancës.
Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, deklaroi të mërkurën se Uashingtoni qëndron pranë aleatëve të vet, duke theksuar vendosmërinë për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s.
“Ne qëndrojmë pranë aleatëve tanë të NATO-s përballë këtyre shkeljeve të hapësirës ajrore dhe do ta mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s”, shkroi Whitaker në rrjetin X (ish-Twitter).
Ai konfirmoi se dronët rusë u neutralizuan nga mbrojtja ajrore e NATO-s, duke parandaluar pasoja të mëdha në territorin polak.
Nga ana tjetër, qeveria gjermane e cilësoi incidentin si "shumë, shumë serioz", duke shprehur mbështetje të plotë për qëndrimin e Polonisë dhe kërkesën për aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të NATO-s.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Sebastian Hille, deklaroi: “Kjo ngjarje tregon edhe një herë se me çfarë lloj kërcënimi po përballemi dhe sa shumë Rusia po na teston. Është e kuptueshme dhe plotësisht e justifikueshme që Polonia kërkon konsultime në kuadër të Nenit 4.”
Kryediplomati gjerman: Rusia po përshkallëzon qëllimisht
Në një konferencë për media në Berlin, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, theksoi se veprimet e Rusisë përbëjnë një përshkallëzim të qëllimshëm dhe të rrezikshëm:
“Pas tre vitesh lufte në Ukrainë, Moska ende nuk është e gatshme të negociojë seriozisht. Është e kundërta Kremlini dëshiron ta nënshtrojë Ukrainën me çdo mjet të mundshëm. Ne duhet dhe do të japim një përgjigje të qartë për këtë.”
Ngjarja vjen në një klimë të acaruar gjeopolitike në Evropën Lindore, ndërsa Polonia ka regjistruar 19 shkelje të hapësirës ajrore nga avionë dhe dronë rusë, dhe ka kërkuar zyrtarisht aktivizimin e Nenit 4, që mund të sjellë konsultime urgjente brenda NATO-s për të marrë masa të përbashkëta politike dhe ushtarake.
© SYRI.net