Kaos në Francë, Bayrou dorëzon sot dorëheqjen! Macron mendon pasardhësin, Marine le Pen kërkon...

Kaos në Francë, Bayrou dorëzon sot dorëheqjen! Macron mendon pasardhësin, Marine le Pen kërkon...

09:54, 09/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Për herë të parë në historinë e Republikës së Pestë Franceze, të lindur më 1958, një qeveri bie jo sepse partitë i kanë votuar një mocion mosbesimi, por sepse vetë kryeministri mori nismën për të kërkuar votëbesimin – dhe nuk iu dha. Ky rekord mban emrin e François Bayrou.

Përveç shkaqeve të shumta të thella të krizës së re politike që po kalon Franca, ekziston edhe një element personal i lidhur me figurën e kryeministrit, i cili këtë mëngjes shkon në Elize për t’i dorëzuar dorëheqjen presidentit Emmanuel Macron.

Dje, Bayrou kërkoi votëbesimin – të cilin e quajti “prova e së vërtetës” – për të ndërgjegjësuar parlamentin dhe francezët mbi gjendjen emergjente të financave publike. Ndoshta, kur shpalli këtë hap më 25 gusht, e dinte që do të humbiste dhe u sakrifikua, ndoshta thjesht gaboi në llogaritje, duke menduar se do të mbështetej nga Marine Le Pen dhe socialistët – mbështetje që iu tërhoq menjëherë.

Një autogol i bujshëm për një centrist me përvojën e Bayrou, që prej gjysmë shekulli lundron në politikën franceze, por në Matignon (Godina e Kryeministrisw), qëndroi vetëm nëntë muaj. Pasi mori postin më 13 dhjetor të vitit të kaluar, mbrëmë në orën 19:00 u rrëzua në Asamblenë Kombëtare: 364 kundër, 194 pro dhe 35 abstenime – madje më keq se paraardhësi i tij jopopullor, Michel Barnier.

 Në fjalimin e fundit, Bayrou denoncoi gjendjen e financave publike dhe goditi të djathtën që fajëson emigrantët – “ata nuk janë shkaku i gjithçkaje” – si dhe të majtën që kërkon taksimin e të pasurve: “Pyesni fqinjët tanë britanikë. Rezultati ka qenë shpërthimi i çmimeve të banesave në Milano”. (Një javë më parë, Bayrou kishte akuzuar Italinë për “dumping fiskal”, - nxitje tw qytetarëve francezë të transferoheshin në Itali duke i tërhequr me taksa më të ulëta se ato që paguajnë në Francë. duke shkaktuar reagimin e ashpër të Romës).

Por propozimet e tij nuk bindën. Bayrou largohet nga skena – të paktën për tani – ndoshta për të marrë hov për një kandidaturë të pashpresë presidenciale.

Çfarë ndodh tani? Presidenti Macron tha se “do të emërojë pasuesin brenda pak ditësh”. Por Asambleja e dalë nga zgjedhjet e parakohshme të verës 2024 është ende e paqeverisshme: nuk ka shumicë në horizont dhe kushdo që të emërohet, rrezikon të rrëzohet që me buxhetin e tetorit.

Marine Le Pen kërkon zgjedhje të reja – “dhe nëse kemi shumicën absolute, do të shkojmë në Matignon për ta ndrequr vendin”.

Rivali i saj antisistem, Jean-Luc Mélenchon, shkon më tej: jo vetëm zgjedhje të reja parlamentare, por edhe dorëheqje të Macron dhe presidenciale të parakohshme, pasi sipas tij “ne nuk do të votojmë kurrë për një kryeministër socialist të mbështetur nga makronistët”.

Konsultimet zyrtare ende s’kanë nisur, por vetot kanë nisur nga të gjitha anët – çka e bën mision pothuaj të pamundur gjetjen e një kryeministri që të arrijë deri në Krishtlindje. Përfliten emra të disa ministrave aktualë: i preferuari i Macron, Sébastien Lecornu (Mbrojtja), Catherine Vautrin (Puna dhe Shëndetësia), Éric Lombard (Ekonomia), dhe Gérald Darmanin (Drejtësia); ose një rikthim në të djathtë me Barnier apo Bruno Retailleau (Brendshëm); ose një hapje majtas me Pierre Moscovici (kryetar i Gjykatës së Llogarive).

Shumë të tjerë kërkojnë një figurë “teknike” si në stilin italian, mbi palët. Për të shmangur që çdo propozim të digjet që në nisje, ish-kryeministri Gabriel Attal kërkon që së pari të caktohet një “negociator” që të arrijë një “marrëveshje interesi të përgjithshëm”, e më pas të identifikohet kryeministri që do ta zbatojë. Një lloj “mandati eksplorues”, krejt i ri për politikën franceze – e cila sot po i ngjan gjithnjë e më shumë Italisë së dikurshme. /Corriere della Sera - Syri.net/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Denonco