Pesë gazetarë të vrarë në sulmet izraelite në spital, shoqata e Shtypit të Huaj kërkon shpjegime

Pesë gazetarë të vrarë në sulmet izraelite në spital, shoqata e Shtypit të Huaj kërkon shpjegime

17:14, 25/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pesë gazetarë, disa prej të cilëve bashkëpunëtorë të rrjeteve ndërkombëtare si Al Jazeera, Reuters dhe Associated Press, u vranë sot në mëngjes gjatë një sulmi izraelit në spitalin Nasser në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, ku humbën jetën gjithsej 20 persona.

Autoritetet palestineze dhe Shërbimi i Mbrojtjes Civile në Gaza raportuan se spitali u godit dy herë nga ushtria izraelite, fillimisht nga një dron dhe më pas nga një bombardim ajror, ndërsa evakuoheshin të plagosurit.

Sipas zëdhënësit të emergjencave, Mahmoud Basal, mes viktimave ndodhej edhe një infermier dhe një punonjës i Mbrojtjes Civile.

Ushtria izraelite e pranoi sulmin në zonën e spitalit, duke deklaruar se është hapur një hetim dhe duke shprehur “keqardhje për çdo dëm të shkaktuar ndaj personave që nuk ishin pjesë e konfliktit”. Autoritetet izraelite theksuan se “nuk synojnë gazetarët”.

Ndërkohë, Shoqata e Shtypit të Huaj në Jerusalem (FPA) kërkoi shpjegime urgjente nga autoritetet izraelite dhe e dënoi ashpër ngjarjen, duke theksuar se nuk pati asnjë paralajmërim përpara sulmit.

Kush ishin gazetarët e vrarë?

Mohammad Salama, fotoreporter i Al Jazeera, u vra në vendngjarje. Ky është gazetari i pestë i rrjetit që humb jetën në Gaza brenda dy javësh.

Hossam Al-Masri, bashkëpunëtor i Reuters, humbi jetën gjithashtu, ndërsa një tjetër gazetar i Reuters, Hatem Khaled, mbeti i plagosur.

Maryam Daghga, 33 vjeç, fotoreportere e pavarur që bashkëpunonte me Associated Press, u vra gjithashtu, megjithëse nuk ishte në mision në kohën e sulmit.

Moaz Abu Taha dhe Ahmad Abu Aziz ishin dy gazetarët e tjerë që u konfirmuan të vdekur nga Sindikata e Gazetarëve Palestinezë.

Sipas një gazetari të AFP në terren, Ahmad Abu Aziz kishte bashkëpunuar me media palestineze dhe ndërkombëtare.

Përpara këtij sulmi, organizatat ndërkombëtare si Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) dhe Reporterët pa Kufij (RSF) kishin raportuar gati 200 gazetarë të vrarë që nga fillimi i luftës në Gaza, e cila shpërtheu pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Spitali Nasser, një nga strukturat e fundit shëndetësore që ende funksionon pjesërisht në Gaza, është goditur në mënyrë të përsëritur gjatë këtij konflikti, duke e vështirësuar edhe më tej trajtimin e mijëra të plagosurve.

Në total, gjatë orëve të para të pasdites së sotme, Mbrojtja Civile në Gaza raportoi 28 viktima nga sulmet izraelite në të gjithë territorin e rrethuar palestinez, që është shkatërruar nga afro dy vite luftë të pandërprerë.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco