Kryebashkiakja e New Orleans dhe truproja i saj janë akuzuar për mashtrim dhe korrupsion pasi kanë përdorur fondet publike për lidhjen e tyre të dyshuar romantike.
Të premten, prokurorët thanë se LaToya Cantrell pati një ‘marrëdhënie personale, intime’ me Jeffrey Vappie nga tetori i vitit 2021, kur ai ishte pjesë e ekipit të saj të sigurisë, raporton BBC.
Nga ai moment deri në daljen e tij në pension në qershor të 2024-ës, dyshja janë akuzuar se kanë deklaruar që Vappie ishte ende në detyrë ndërsa ishin të përfshirë në ‘veprimtari personale’, përfshirë 14 udhëtime të ndara brenda dhe jashtë vendit.
Asnjëri prej tyre nuk ka komentuar lidhur me pretendimet.
New Orleans ka reaguar për AP duke thënë se është në dijeni të akuzave dhe se këto të fundit po shqyrtohen nga avokati i kryebashkiakes.
Prokurorët federalë thanë se Cantrell dhe Vappie përdornin platformën WhatsApp duke aktivizuar fshirjen automatike të bisedave për të shkëmbyer mesazhe që të ‘vijonin mashtrimin e tyre’. kjo bëri që çifti ta fshihte lidhjen dhe veprimtarinë e paligjshme.
Në New Orleans, ata e përdornin apartamentin në pronësi të qytetit si të tyrin, jetonin bashkë dhe kalonin kohë atje ndërsa Vappie thoshte se ishte në detyrë dhe po paguhej për punën e tij.
Ata kanë bërë edhe udhëtime private, njëri në një vreshtari në Kaliforni për të marrë pjesë në një degustim verërash ndërsa Vappie ndodhej në detyrë për ‘të shumëfishuar kohën e tyre së bashku’, çka kushtoi 70 mijë dollarë.
E pyetur për këto udhëtime, Cantrell kishte thënë më herët se e merrte truprojën me vete për siguri për shkak të pandemisë së Covid. Prokurorët e kundërshtojnë akuzën dhe përmendin rastet kur ajo ka udhëtuar vetëm.
Avokati amerikan Michael Simpson thotë se lidhja e tyre nuk përbën krim, por pasqyron një ‘skemë mashtrimi prej vitesh që ka përdorur paratë publike për interesa personale duke shfrytëzuar pushtetin dhe autoritetin’, sipas CBS News.
Në një episod, një person i ka fotografuar duke darkuar. Cantrell e denoncoi dhe kërkoi urdhër mbrojtjeje.
Cantrell dhe Vappie janë të akuzuar për frikësimin e vartësve, mashtrimin e agjentëve të FBI-së dhe deklarata të rreme kundrejt një jurie, të cilat vendosin nëse akuzat do të përmenden në padi.
Në rast se shpallen fajtorë, akuzat mund të konsistojnë në dënime shumëvjeçare dhe gjoba deri në 250 mijë dollarë.
Cantrell është demokrate dhe kryebashkiakja e parë e New Orleans në historinë 300-vjeçare të qytetit që shërben që në vitin 2018. Ajo duhet të largohet në janar.
© SYRI.net