Udhëheqësit kryesorë evropianë lëshuan një deklaratë zyrtare pasi u informuan nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për takimin e tij me homologun rus Vladimir Putin në Alaska. Në këtë deklaratë, ata shprehën gatishmërinë për të punuar drejt një samiti trepalësh me përfshirjen e Ukrainës, duke këmbëngulur në “garanci të forta sigurie” për Kievin.
“Do të jetë detyrë e Ukrainës të marrë vendime në territorin e saj. Kufijtë ndërkombëtarë nuk duhet të ndryshohen me forcë,” theksohet në deklaratën e përbashkët, e cila u publikua nga Komisioni Evropian disa orë pas përfundimit të takimit mes Trump dhe Putinit. Dokumenti u nënshkrua nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidenti francez Emmanuel Macron, Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, Kancelari gjerman Friedrich Merz, Kryeministri britanik Keir Starmer, Presidenti finlandez Alexander Stubb, Kryeministri polak Donald Tusk dhe Presidenti i Këshillit Evropian António Costa.
Liderët e BE-së “mirëpritën përpjekjet e Presidentit Trump për të ndaluar vrasjet në Ukrainë, për t’i dhënë fund luftës agresioniste të Rusisë dhe për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”. Ata nënvizuan se garancitë e sigurisë për Ukrainën duhet të jenë “të patundura”, duke refuzuar çdo lloj kufizimi për forcat e armatosura të saj. Në deklaratë u theksua gjithashtu se “Rusia nuk mund të ketë veto mbi rrugën e Ukrainës drejt BE-së dhe NATO-s”.
Njëkohësisht, udhëheqësit evropianë ripërsëritën zotimin për vazhdimin e sanksioneve ndaj Moskës “për sa kohë që vazhdojnë vrasjet në Ukrainë”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në një reagim në rrjetin X, bëri thirrje për “paqe të vërtetë, jo vetëm një pauzë tjetër midis pushtimeve ruse”. Ai nënvizoi se i kishte kërkuar Trumpit forcimin e sanksioneve ndaj Rusisë nëse Moska shmang përpjekjet për një përfundim të ndershëm të luftës.
Nga ana tjetër, reagimet nga udhëheqës të tjerë evropianë ishin më të ashpra. Ministri i Jashtëm norvegjez, Espen Barth Eide, tha se pikat e diskutuara nga Putini përfaqësojnë “kod për justifikimin rus të pushtimit të paligjshëm të Ukrainës”. Kryeministri çek Petr Fiala theksoi se “Putini mbetet i fokusuar vetëm te përfitimet territoriale dhe restaurimi i perandorisë sovjetike”. Ndërsa shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, paralajmëroi se “realiteti i hidhur është se Rusia nuk ka ndërmend ta përfundojë këtë luftë së shpejti”, duke shtuar se sulme të reja ndaj Ukrainës u nisën nga Moska edhe gjatë kohës që zhvillohej samiti në Anchorage.
“Putini vazhdon të zvarrisë negociatat dhe shpreson t’ia dalë pa ndëshkim. Ai u largua nga Anchorage pa marrë asnjë angazhim për t’i dhënë fund vrasjeve”, deklaroi Kallas.
© SYRI.net