Sondazhet e pavarura mes ushtarëve aktivë rusë janë të pamundur, por sipas raportimeve, në radhët e tyre dallohen dy tendenca kryesore. Ata që marrin pjesë në luftime të drejtpërdrejta tregojnë shenja lodhjeje dhe fatalizmi.
“Kam dëgjuar shumë diskutime rreth takimeve dhe marrëveshjeve të mundshme paqeje. Me grafikë të bukur, me harta dhe shigjeta, prezantime të mrekullueshme,” thotë një ushtar për BBC-në.
“Por me të vërtetë nuk më intereson se çfarë bien dakord. Unë dhe shokët e mi këtu në tranše duam vetëm që gjithçka të përfundojë,” shton ai.
Shumica e ushtarëve që luftojnë aktualisht për ushtrinë ruse në vijën e frontit ishin civilë para fillimit të pushtimit të Ukrainës në 2022. Disa nënshkruan kontrata me ushtrinë, tërhequr nga pagat e larta dhe përfitimet sociale, ndërsa të tjerët u mobilizuan me urdhër qeverie në shtator të 2022.
Shumë prej tyre kanë kaluar vite të tëra në vijën e frontit – shpesh pa rotacion të duhur – duke i lënë fizikisht dhe psikologjikisht të lodhur. Megjithatë, ata që kanë leje të shprehin mendimin publikisht, e pranojnë lodhjen, por theksojnë se Rusia është e gatshme të vazhdojë luftën deri në fitore.
“Jemi thellësisht të zemëruar dhe vuajmë nga gabimet monstruoze dhe humbjet që mund të ishin shmangur. Po përpiqemi të rregullojmë gjithçka dhe të jetojmë pavarësisht padrejtësive,” thotë Nikita Tretyakov, ish-gazetar dhe tani parashutist.
“Por thelbësisht ne u bashkuam me këtë luftë për ta përfunduar me fitore, jo për ta shtyrë apo për ta lënë si trashëgimi për fëmijët tanë.”
© SYRI.net