Lajmi i fundit

LIVE/ Protesta e 15-të kundër Edi Ramës, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit

Marrëveshja/ Turqia do të sigurojë armë dhe mbështetje për Sirinë sipas paktit të ri të mbrojtjes

Marrëveshja/ Turqia do të sigurojë armë dhe mbështetje për Sirinë sipas paktit të ri të mbrojtjes

18:51, 14/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Qeveria e përkohshme e Sirisë po përballet me sfida në rritje për rivendosjen e rendit pas gati 14 vitesh lufte civile dhe rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad nga forcat rebele të udhëhequra nga islamistët në dhjetor. Turqia ka njoftuar se do të ofrojë armë, pajisje ushtarake dhe mbështetje logjistike për Damaskun, në bazë të një marrëveshjeje të re të mbrojtjes të nënshkruar nga ministrat e mbrojtjes të dy vendeve, Yasar Guler dhe Murhaf Abu Qasra.

Memorandumi përfshin bashkëpunim në trajnimin dhe konsulencën ushtarake, si dhe furnizim me sisteme armësh dhe materiale logjistike, me qëllim forcimin e aftësive mbrojtëse të Sirisë. Kërkesa për ndihmë nga Ankaraja erdhi pas dhunës sektare në vend, e cila ka nxitur edhe ndërhyrjen e Izraelit.

Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, gjatë një vizite në Damask, paralajmëroi Izraelin dhe forcat kurde të SDF-së që të ndalojnë veprimet që, sipas tij, minojnë stabilitetin e Sirisë. Ai akuzoi SDF-në se po pengon zbatimin e marrëveshjes së arritur në mars për bashkimin me ushtrinë siriane.

Ndërkohë, tensionet vazhdojnë në provincën jugore të Suwayda-s, ku përleshjet midis forcave qeveritare, fiseve beduine dhe luftëtarëve druzë kanë shkaktuar qindra viktima. Paralelisht, grupe të ndryshme etnike dhe fetare kanë kërkuar në një konferencë në Hassakeh krijimin e një shteti të decentralizuar dhe një kushtetute të re që garanton pluralizmin, por qeveria siriane e ka cilësuar këtë si një nismë me prirje separatiste.

Bisedimet e planifikuara mes qeverisë dhe SDF-së në Paris janë ende pa një datë të caktuar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco