Kompania amerikane farmaceutike Eli Lilly ka njoftuar se nga data 1 shtator do të rrisë deri në 170% çmimin e ilaçit të saj të njohur për humbje peshe Mounjaro për klientët privatë në Mbretërinë e Bashkuar. Doza më e lartë mujore do të kushtojë 330 £, nga 122 £ aktualisht.
Çmimi i ri është lista bazë për ofruesit privatë, gjë që pritet të sjellë rritje të tarifave për pacientët që e blejnë jashtë sistemit shëndetësor publik. Sipas NHS England, kjo rritje nuk do të ndikojë tek pacientët që marrin Mounjaro përmes Shërbimit Kombëtar Shëndetësor.
Ilaçi përdoret për trajtimin e obezitetit, diabetit të tipit 2 dhe problemeve shëndetësore të lidhura me peshën, dhe është i disponueshëm si në Mbretërinë e Bashkuar, ashtu edhe në Bashkimin Evropian. Eli Lilly tha se vendimi synon të përafrojë çmimin në Mbretërinë e Bashkuar me atë të vendeve të tjera evropiane, pasi në fillim çmimi ishte vendosur më i ulët për të shmangur vonesat në furnizimin e NHS.
Ky zhvillim vjen mes presionit të presidentit amerikan Donald Trump ndaj kompanive farmaceutike që të ulin çmimet e barnave në SHBA, duke i barazuar me nivelin më të ulët që paguhet në vendet e tjera të pasura. Eli Lilly theksoi se rritja do të ndihmojë në “adresimin e mospërputhjeve të çmimeve” krahasuar me tregjet e tjera të zhvilluara.
© SYRI.net