Temperaturat e larta të natës kanë thyer rekorde në dy muajt e parë të verës në shumë zona të Evropës, duke e bërë vitin 2024 vitin me numrin e dytë më të lartë të netëve tropikale të regjistruara ndonjëherë, sipas shërbimit të BE-së Copernicus (C3S). Një natë tropikale konsiderohet kur temperatura nuk bie nën 20°C.
Shkalla e ngrohjes në Evropë gjatë 30 viteve të fundit ka qenë më shumë se dyfishi i mesatares globale, ndërsa rajonet më të prekura ishin në juglindje të kontinentit. Disa zona të Greqisë jugore përjetuan deri në 55 netë tropikale më shumë se mesatarja, Italia deri në 50, Turqia perëndimore deri në 40, ndërsa Kroacia, Serbia, Hungaria, Rumania dhe Bullgaria deri në 35.

Në qershor dhe fillim të korrikut 2025, shumë vende evropiane patën netë tropikale mbi normë. Në disa pjesë të Spanjës, qershori solli 24 netë të tilla, ose 18 më shumë se zakonisht. Edhe vendet rreth Mesdheut, që zakonisht nuk i përjetojnë, panë deri në 15 netë tropikale, ndërsa Suedia shënoi 10 netë të pandërprera për shkak të një vale të të nxehtit nordik.
Sipas studimeve, temperaturat e natës janë tashmë rreth 2°C më të larta për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu dhe rreziku i netëve të tilla është 33 herë më i madh. Netët tropikale ndikojnë drejtpërdrejt në shëndet, duke penguar pushimin dhe rikuperimin e trupit, si dhe duke rritur rrezikun për goditje nga nxehtësia. Vetëm në vitin 2023, në Evropë janë regjistruar rreth 47,700 vdekje të lidhura me temperaturat e larta, ndërsa në 2022 ky numër arriti në 61,700.
© SYRI.net