Pak para nisjes së mbledhjes së kabinetit të sigurisë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka shtuar disa detaje mbi planin për pushtimin e Gazës, i cili, pavarësisht kundërshtimeve të mundshme nga disa ministra, pritet të marrë shumicën e votave. Në dy intervista të ndara, Netanyahu deklaroi fillimisht se “Izraeli do të pushtojë të gjithë Rripin e Gazës”, por më pas sqaroi se nuk ka për qëllim aneksimin e saj, por dorëzimin ndaj një “organizmi të përkohshëm”.
"Izraeli nuk synon të qeverisë Gazën, por ta çlirojë nga Hamasi:Duam të krijojmë një perimetër sigurie dhe t’ia dorëzojmë Gazën forcave arabe që do ta qeverisin siç duhet” U shpreh kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu në një intervistë për Fox.
Sipas raportimeve, plani parashikon fillimisht marrjen nën kontroll të qytetit të Gazës dhe zgjerimin e qendrave të shpërndarjes së ndihmave humanitare, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, brenda vetë Izraelit nuk ka unitet: shefi i shtabit të ushtrisë izraelite (IDF), Eyal Zamir, së bashku me disa gjeneralë të tjerë, vazhdojnë të paralajmërojnë për rreziqet që sjell një operacion i tillë. Edhe opozita dhe familjarët e pengjeve janë kundër. “I thashë Netanyahut se pushtimi i Rripit është një ide e keqe. Shumica e popullsisë nuk e mbështet,” u shpreh ish-kryeministri izraelit Yair Lapid pas një takimi me Netanyahun, i cili duket i vendosur ta çojë përpara planin e tij.
© SYRI.net