Deklarata e Kryeministrit të Suedisë, Ulf Kristersson, se ai përdor ChatGPT për të marrë “një mendim të dytë” mbi drejtimin e vendit, ka ndezur reagime të ashpra në vendin nordik.
Në një intervistë për gazetën Dagens Industri, ai pranoi se përdor rregullisht si ChatGPT, ashtu edhe shërbimin francez LeChat për të gjeneruar ide dhe reflektuar mbi qasjet politike.
Komentet e tij shkaktuan valë kritikash, ku shumë e panë këtë si një rrezik për demokracinë, duke theksuar se qytetarët kishin zgjedhur një udhëheqës njerëzor, jo një mjet të inteligjencës artificiale. Ekspertë të teknologjisë ngritën alarmin për besueshmërinë e chatbot-ëve dhe ndikimin e mundshëm të “halucinacioneve” që mund të prodhojnë vendime të rrezikshme.
Ekipi i Kristersson u përpoq të qetësonte opinionin publik duke theksuar se nuk përdoren informacione të ndjeshme për sigurinë kombëtare dhe se IA përdoret vetëm si mjet reflektimi.
Ky nuk është rasti i parë në Suedi apo në Europë. Deputeti suedez Olle Thorell u kritikua më parë për përdorimin e ChatGPT për të hartuar qindra pyetje parlamentare. Ndërkohë në Britani, një ministër përdori IA për të vendosur në cilat podkaste duhet të shfaqej.
Në të njëjtën javë kur shpërtheu debati në Suedi, OpenAI njoftoi një partneritet me qeverinë amerikane për të shpërndarë ChatGPT Enterprise për të gjithë nëpunësit publikë federalë, për vetëm 1 dollar në vit. Iniciativa synon të rrisë efikasitetin e administratës publike dhe bazohet në suksesin e një projekti pilot në Pensilvani, ku nëpunësit raportuan se kursenin mesatarisht 95 minuta pune në ditë.
Debati mbetet i hapur: A po kthehen chatbot-et në këshilltarë politikë të padeklaruar? Dhe a mund të jetë kjo një ndihmë apo një kërcënim për demokracinë moderne?
© SYRI.net