'Transvestigimet': Gratë e njohura në shënjestër, akuzohen se janë...burra

'Transvestigimet': Gratë e njohura në shënjestër, akuzohen se janë...burra

14:45, 07/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ish-Zonja e Parë e SHBA-së Michelle Obama, ish-kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern, ish-nënpresidentja amerikane Kamala Harris dhe së fundmi, Brigitte Macron – bashkëshortja e presidentit francez – janë disa prej grave publike që janë vënë në shënjestër të një fushate të re shpifjesh që ekspertët e quajnë “transvestigime”.

Këto teori konspirative, që e kanë origjinën në rrjetet sociale si X, Instagram dhe TikTok, pretendojnë se disa figura të njohura femërore janë në fakt burra që fshehin identitetin e tyre të vërtetë. Sipas studiueses së kulturës digjitale, Lexi Webster nga Universiteti i Southampton, ndjekësit e kësaj ideologjie shqyrtojnë fotot dhe videot e grave për të “analizuar” formën e supeve, nofullës apo mënyrën e ecjes, me pretendimin absurd se mund të zbulojnë një identitet të fshehur gjinor. Këtyre analizave shpeshherë u bashkëngjiten edhe teori të tjera, të cilat ndërtohen për të ngjallur dyshime tek publiku dhe për të përfituar klikime.

Rasti më i fundit që ka marrë vëmendje ndërkombëtare është ai i Brigitte Macron. Në korrik 2025, Presidenti Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij ngritën padi për shpifje ndaj komentatores amerikane Candace Owens, e cila përmes një podcasti dhe videosh në rrjet, deklaroi se do ta vinte në rrezik gjithë karrierën e saj për të “provuar” se Brigitte është burrë. Sipas avokatëve të çiftit Macron, Owens është në krye të një “kryqëzate online” të bazuar mbi gënjeshtra të diskredituara, të cilat i ka përdorur për të maksimizuar famën dhe përfitimet e saj.

Këto teori nuk janë të reja. Në vitin 2021, në prag të zgjedhjeve presidenciale në Francë, një vetëquajtur gazetare franceze, Natacha Rey, pretendoi gjatë një interviste me një mediume se Brigitte Macron ishte lindur mashkull me emrin Jean-Michel Trogneux — që për ironi është emri i vëllait të saj. Intervista u përhap me shpejtësi në rrjet, duke u kthyer në një nga rastet më të famshme të “transvestigimeve”.

Por fushata nuk është ndalur me kaq. Në korrik të këtij viti, një video e rreme në stilin e një raporti lajmesh qarkulloi në rrjete sociale, duke pretenduar se një kirurg francez i quajtur François Faivre, i cili “do të zbulonte” të vërtetën mbi Brigitte Macron, kishte vdekur në rrethana misterioze. Verifikimi i fakteve nga EuroVerify tregoi se videoja ishte mashtrim: pamjet ishin marrë nga një ngjarje e vitit 2022, ndërsa asnjë kirurg me atë emër nuk figuron në spitalin që përmendet në video. Madje, fytyra e kirurgut në video ishte gjeneruar me inteligjencë artificiale.

Lexi Webster thekson se këto teori nuk përhapen vetëm nga figura të ekstremit të djathtë si Candace Owens apo Alex Jones, por edhe nga llogari anonime dhe botë në rrjete sociale, të cilat i riciklojnë dhe i përhapin përmes algoritmeve të angazhimit. “Edhe ata që i shpërndajnë për t’u tallur, në fakt ndihmojnë në mbajtjen gjallë të këtyre teorive,” shprehet ajo.

Ekspertët paralajmërojnë se përhapja e “transvestigimeve” nuk ka të bëjë vetëm me transfobinë, por edhe me një mosbesim të thellë ndaj elitave politike dhe një kulturë të re online që ushqehet me konspiracione dhe spekulime për të prodhuar angazhim dhe përfitime ekonomike.

Megjithëse nuk ekziston asnjë provë që të mbështesë pretendimet për Brigitte Macron apo gratë e tjera të përfshira në këto teori, vetë natyra e konspiracioneve e bën thuajse të pamundur çrrënjosjen e tyre. “Edhe nëse Brigitte Macron do të publikonte certifikatën e lindjes, do të thonin se është falsifikuar,” thotë Webster. “Edhe nëse ajo fiton gjyqin, nuk do të ketë ndonjë ndikim të madh në rrjet.”

Në thelb, transvestigimet janë një formë e re e sulmeve online që synojnë të delegjitimojnë gratë në pushtet dhe të nxisin mosbesim përmes gënjeshtrave të qëllimshme. Dhe për sa kohë që këto gënjeshtra gjenerojnë klikime, reklama dhe të ardhura, duket se lufta kundër tyre sapo ka filluar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco