Pakistani ka vendosur të shtyjë deri më 1 shtator afatin për deportimin e miliona refugjatëve afganë, në një vendim që është mirëpritur nga Kombet e Bashkuara, por që gjithsesi ka ngjallur shqetësime për mundësinë e kthimeve të detyruara dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Për katër dekada me radhë, afganët janë strehuar në Pakistan, duke ikur nga lufta, paqëndrueshmëria politike dhe kriza ekonomike në vendin e tyre. Aktualisht, rreth 1.4 milionë janë të regjistruar si refugjatë në agjencinë e OKB-së për refugjatët (UNHCR) dhe mbajnë karta të Provës së Qëndrimit (PoR) të lëshuara nga autoritetet pakistaneze. Por këto karta skaduan më 30 qershor, dhe qeveria e Islamabadi ka refuzuar t’i rinovojë ato.
Sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Brendshme të Pakistanit, Lateef-ur-Rehman, refugjatëve do t’u jepet një “periudhë hiri” prej 25 ditësh, nga 4 deri më 31 gusht, për t’u larguar në mënyrë vullnetare. Pas kësaj date, ata që mbeten mund të përballen me arrestim dhe dëbim me forcë.
UNHCR, megjithëse e përshëndeti shtyrjen e afatit, paralajmëroi se deportimi i detyruar bie ndesh me parimin e mos-kthimit, që ndalon kthimin e personave në vende ku rrezikojnë jetën apo lirinë. Zëdhënësi i UNHCR-së në Pakistan, Qaiser Khan Afridi, theksoi nevojën për një “zgjatje të vlefshmërisë së kartave PoR”.
Sipas raportit të qershorit të UNHCR, mbi 1.2 milion afganë janë kthyer me detyrim në Afganistan vetëm këtë vit, nga Irani dhe Pakistani.
Islamabadi synon gjithashtu të dëbojë edhe rreth 800 mijë afganë të tjerë, që ndodhen në vend me Karta Qytetarie Afgane, për të cilët thuhet se janë aty në mënyrë të paligjshme. Një vendim qeveritar i 31 korrikut konfirmoi planet për riatdhesimin e të gjithë shtetasve afganë me dokumente të skaduara.
Megjithëse shumë afganë banojnë në kampe refugjatësh, një numër i konsiderueshëm janë integruar thellësisht në komunitet, me familje dhe biznese, duke u përpjekur të mbeten të fshehur për të shmangur arrestimin.
Autoritetet vendore janë udhëzuar të bashkëpunojnë me udhëheqësit e komunitetit afgan për të inkurajuar largimin vullnetar, ndërsa janë në plan edhe mbyllje të mundshme të kampeve, megjithëse ende nuk ka data të përcaktuara.
Deportimet masive mund të ndikojnë ndjeshëm në stabilitetin e brishtë të Afganistanit, ku talebanët kontrollojnë pushtetin që prej vitit 2021. Grupi i të drejtave të njeriut dhe organizata ndërkombëtare kanë paralajmëruar për ndikimet humanitare dhe shkeljet e mundshme të të drejtave themelore të refugjatëve.
© SYRI.net