Në një Afganistan ku vajzat janë të ndaluara të ndjekin shkollën e mesme dhe universitetin, shumë prej tyre po i drejtohen medreseve – shkollave fetare – si alternativa të vetme të lejuara. Por të tjera po gjejnë rrugë më të guximshme: po mësojnë fshehurazi online, duke përfshirë edhe programimin kompjuterik.
Që prej ardhjes në pushtet të talebanëve në vitin 2021, gratë afgane janë përballur me një sërë ndalesash të ashpra. U ndaluan nga arsimi përtej shkollës fillore, u përjashtuan nga vendet e punës, nga palestra, restorantet dhe hapësira të tjera publike. Për shumë prej tyre, bota u mbyll papritur.
Por për Sodaba, një 24-vjeçare e pasionuar pas farmacisë, një kurs online për kodim ishte drita në fund të tunelit. Mësohej në gjuhën e saj amtare, dari, nga një refugjate afgane në Greqi. “Unë besoj se një person nuk duhet të përkulet para rrethanave, por të rritet dhe t’i realizojë ëndrrat e tij në çdo mënyrë të mundshme,” tha ajo.
Sodaba është një nga 28 studentet që ndjekin kurset e ofruara nga Afghan Geeks, një iniciativë e Murtaza Jafarit, një 25-vjeçar afgan që dikur nuk dinte as si të ndizte një kompjuter. Sot, ai jeton në Athinë dhe i mëson vajzave afgane programim nga distanca. Disa prej tyre tashmë janë punësuar në projekte reale.
“Qëllimi im është t’i kthej komunitetit atë që më është dhënë falas kur isha refugjat. Ndarja e dijes është ajo që sjell ndryshimin,” thotë Jafari, i cili nuk u kërkon kurrë studenteve të ndezin kamerat për shkak të rreziqeve dhe për të respektuar kulturën e tyre.
Por ky nuk është rasti i vetëm. Zuhal, një 20-vjeçare afgane që përdor një pseudonim për sigurinë e saj, themeloi Universitetin Vision Online së bashku me një profesor universiteti, duke ofruar arsim falas për më shumë se 4,000 vajza afgane. Akademia ofron kurse nga psikologjia te gjuhët e huaja dhe shkencat kompjuterike.
“Ne të gjithë punojmë vullnetarisht, pa paga, pa ndihmë. Por ne kemi një qëllim: t’u japim vajzave arsim, shpresë dhe mundësi,” thotë ajo, ndërkohë që edhe vetë ndjek një diplomë në shkencat kompjuterike përmes Universitetit të Popullit në SHBA.
Pavarësisht pengesave – qeveria talebane, mungesa e fondeve, kufizimet në internet – gratë si Sodaba dhe Zuhal po tregojnë se arsimi mund të lulëzojë edhe në errësirë, nëse ka guxim, solidaritet dhe një kompjuter me qasje në internet.
© SYRI.net