Trump dhe Murdoch lënë mënjanë përplasjen për artikullin e Epstein-it

Trump dhe Murdoch lënë mënjanë përplasjen për artikullin e Epstein-it

09:33, 07/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Rupert Murdoch dhe Donald Trump kanë rënë dakord të shtyjnë deponimin e manjatit të mediave në një padi për shpifje të ngritur muajin e kaluar nga presidenti amerikan, lidhur me një artikull të botuar nga The Wall Street Journal që detajonte marrëdhëniet e Trump-it me Jeffrey Epstein-in.

Sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara të martën, të dyja palët kanë arritur një marrëveshje për të shtyrë dëshminë e Murdoch deri sa të shqyrtohet kërkesa e Wall Street Journal për ta hedhur poshtë çështjen.

Fillimisht, Trump kishte kërkuar që deponimi i Murdoch-it të përshpejtohej, duke përmendur moshën dhe shëndetin e 94-vjeçarit, një veprim që disa media e cilësuan si një manovër taktike.

Palët gjithashtu kanë rënë dakord të mos zhvillojnë hetime ose të shkëmbejnë prova gjatë kësaj periudhe, sipas dokumenteve të gjykatës në Florida.

Marrëveshja është arritur të hënën në mbrëmje, sipas medias amerikane Politico. Sipas të gjitha gjasave, Murdoch, i cili përballet gjithashtu me rifillimin e një beteje ligjore familjare në Nevada këtë vit, nuk do të paraqitet në gjykatë për të paktën disa muaj dhe do të detyrohet ta bëjë këtë vetëm nëse kërkesa për ta hedhur poshtë çështjen dështon.

Dokumenti gjyqësor thotë gjithashtu se Murdoch do të paraqitet personalisht në një vend të dakordësuar mes palëve, brenda 30 ditëve, nëse kërkesa rrëzohet. Ai ka rënë dakord të ofrojë "raporte të rregullta për gjendjen e tij shëndetësore" për paditësin (Trump), përfshirë një mekanizëm që i lejon atij të njoftojë presidentin nëse ka një ndryshim të rëndësishëm në gjendjen e tij.

Trump e ngriti padinë 10 miliardë dollarëshe muajin e kaluar pasi Journal publikoi një artikull që raportonte se ai i kishte dërguar një letër urimi Epstein-it, financierit famëkeq të Wall Street-it, për 50-vjetorin, që përfshinte edhe një vizatim të një gruaje nudo me firmën e Trump-it të bashkëngjitur.

Presidenti i përfshiu si të paditur Murdoch-un, CEO-n e News Corp Robert Thomson, si dhe dy gazetarët përgjegjës për artikullin. Kompania ka deklaruar se synon ta mbrojë raportimin. / The Sydney Morning Herald - Syri.net

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco