Kryetari i bashkisë së Villeneuve-de-Marc, një komunë e vogël në rajonin Isere të Francës, është sulmuar ‘mjete rrethanore’ pasditen e së mërkurës, më 6 gusht, dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Gilles Dussault, 63 vjeç, ishte duke ecur në rrugët e qytetit me djalin e tij 28-vjeçar, kur u godit papritur nga një person i panjohur me një ‘objekt të papërcaktuar’, sipas deklaratës së prokurorisë që ka nisur hetimet.
Dussault u godit në kraharor dhe u transportua me urgjencë në spitalin ‘Edouard Herriot’ në Lion, ndërsa djali i tij ka pësuar lëndime të lehta dhe po trajtohet në spitalin e Vjenës (Vienne).
Sipas të dhënave paraprake, agresori është banor i zonës dhe tentoi të largohej me makinë pas sulmit, por humbi kontrollin dhe përplasi automjetin në një mur. Më pas, ai u largua në këmbë dhe aktualisht është në kërkim nga autoritetet.
Në një deklaratë zyrtare për shtyp, prefektja e Isere, Catherine Seguin, e cilësoi sulmin si ‘një akt të rëndë dhe të papranueshëm ndaj një përfaqësuesi të zgjedhur që punon për interesin e përbashkët’.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta edhe në nivel qendror. Ministri i Planifikimit Rajonal, François Rebsamen, u shpreh në platformën X:
“Jam thellësisht i tronditur nga sulmi i dhunshëm ndaj kryebashkiakut të Villeneuve-de-Marc dhe djalit të tij. Të sulmosh një përfaqësues të Republikës dhe familjen e tij është e papranueshme. Autori duhet të identifikohet dhe të ndëshkohet me gjithë ashpërsinë e ligjit.”
Villeneuve-de-Marc është një fshat i vogël me më pak se 1.200 banorë, ndërsa Gilles Dussault ka shërbyer si kryebashkiak i tij për disa vite. Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë e përfaqësuesve vendorë dhe sulmet ndaj zyrtarëve publikë në Francë.
Très choqué et ému par la violente agression du maire de Villeneuve-de-Marc et de son fils.
Un élu de la République et sa famille attaqués : c’est intolérable.
L’agresseur doit être retrouvé et sanctionné avec la plus grande fermeté.
© SYRI.net