Izrael/ Myftiut të Jerusalemit i ndalohet për gjashtë muaj hyrja në xhaminë e Al-Aksa

Izrael/ Myftiut të Jerusalemit i ndalohet për gjashtë muaj hyrja në xhaminë e Al-Aksa

20:31, 06/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Autoritetet izraelite kanë ndaluar për një periudhë prej gjashtë muajsh hyrjen e Myftiut të Madh të Jerusalemit dhe Territoreve Palestineze, sheik Muhammad Hussein, në Xhaminë Al-Aksa.

Vendimi u mor pas një predikimi të mbajtur prej tij, në të cilin ai denoncoi gjendjen humanitare në Rripin e Gazës, raportojnë disa burime mediatike.

Lajmi u konfirmua nga agjencia palestineze e lajmeve Wafa, e cila bëri të ditur se ‘autoritetet izraelite kanë lëshuar një urdhër ndalese gjashtëmujor për sheikun Muhammad Hussein, duke i ndaluar hyrjen në Xhaminë Al-Aksa’.

Avokati i tij, Khaldoun Najm, deklaroi për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP) se ka pranuar vendimin zyrtar nga komandanti i policisë së Jerusalemit, i cili ndalon myftiun të vizitojë vendin e shenjtë deri më 25 janar 2026.

Sipas avokatit, ndalesa vjen pas një predikimi të mbajtur të premten, më 25 korrik, për të cilin ai thekson se 'nuk përmbante asgjë të dënueshme'. Ai shtoi se policia nuk e ka ftuar për asnjë pyetje apo marrje në pyetje përpara marrjes së këtij vendimi.

Urdhri policor, i cili u nda me AFP nga avokati, nuk përmban arsye të detajuara, por justifikohet me nevojën për të shmangur 'kërcënime serioze për sigurinë'.

Sipas agjencisë Wafa, ndalesa vjen si pasojë e deklaratave të myftiut, i cili në predikimin e tij “denoncoi politikën e urisë të pushtuesit (Izraelit) ndaj popullit palestinez në Rripin e Gazës”.

Sheiku Hussein u thirr nga policia më 27 korrik dhe fillimisht iu dha një urdhër ndalese për tetë ditë nga hyrja në Al-Aksa, me mundësinë e zgjatjes së mëtejshme, që më pas u konfirmua me ndalesën gjashtëmujore.

Xhamia Al-Aksa ndodhet në kompleksin e vendeve të shenjta në Jerusalemin Lindor, zonë e cila ndodhet nën pushtimin dhe aneksimin e Izraelit. Ajo është vendi i tretë më i shenjtë për myslimanët dhe më i shenjti për hebrenjtë, dhe përbën një pikë qendrore të tensioneve izraelito-palestineze.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco