Mijëra njerëz janë mbledhur në Hiroshima për të përkujtuar 80-vjetorin e përdorimit të parë në botë të një bombe bërthamore në kohë lufte, ndërsa të mbijetuar, zyrtarë dhe përfaqësues nga 120 shtete dhe territore shënuan këtë moment historik me thirrje të reja për çarmatimin bërthamor.
Qyteti në perëndim të Japonisë u rrafshua me 6 gusht 1945, kur Shtetet e Bashkuara hodhën një bombë me uranium, me emrin e koduar "Little Boy". Rreth 78,000 njerëz u vranë menjëherë. Dhjetëra mijëra të tjerë vdiqën deri në fund të vitit si pasojë e djegieve dhe ekspozimit ndaj rrezatimit.
Sulmi ndaj Hiroshimës, i pasuar tri ditë më vonë nga një bombë me plutonium në Nagasaki, çoi në dorëzimin e Japonisë me 15 gusht dhe fundin e Luftës së Dytë Botërore. Hiroshima u zgjodh si objektiv pjesërisht sepse malet përreth besoheshin nga planifikuesit amerikanë se do të shtonin fuqinë shkatërruese të bombës.
Në Parkun Memorial të Paqes në Hiroshima, të mërkurën, aty ku bomba shpërtheu pothuajse drejtpërdrejt mbi qytet tetë dekada më parë, morën pjesë delegatë nga një numër rekord shtetesh dhe rajonesh ndërkombëtare në ceremoninë vjetore përkujtimore.
Duke raportuar nga parku, gazetari i Al Jazeera-s, Fadi Salameh, tha se ceremonia zhvillohet në një rend të ngjashëm me vitet e mëparshme.
“Ceremonia ndjek pothuajse të njëjtën procedurë çdo vit që e kam ndjekur,” tha Salameh. “Fillon në orën tetë me fëmijë dhe njerëz që vendosin lule dhe pastaj ujë, për të simbolizuar ndihmën për viktimat që mbijetuan bombardimin atomik.”
“Më pas, në orën 8:15 fiks… mbahet një moment heshtjeje. Pas tij, kryetari i bashkisë së Hiroshimës lexon deklaratën e paqes, ku bëhet thirrje për ndalimin e armëve bërthamore në të gjithë botën,” shtoi ai.
Nxënës nga e gjithë Japonia morën pjesë në “Premtimin për Paqen”, duke lexuar mesazhe shprese dhe kujtese. Këtë vit, ceremonia përfshiu edhe një mesazh nga përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, me thirrje për paqe globale.
Kryetari i bashkisë së Hiroshimës, Kazumi Matsui, paralajmëroi për rrezikun e militarizmit në rritje në botë, duke kritikuar udhëheqësit që besojnë se armët bërthamore janë të nevojshme për sigurinë kombëtare.
“Mes liderëve politikë botërorë po përhapet bindja se mbajtja e armëve bërthamore është e pashmangshme për të mbrojtur vendin e tyre,” tha ai, duke vënë në dukje se SHBA dhe Rusia zotërojnë ende 90 për qind të armëve bërthamore në botë.
“Kjo situatë jo vetëm që i zhvlerëson mësimet që ka marrë komuniteti ndërkombëtar nga historia tragjike e së shkuarës, por gjithashtu minon seriozisht strukturat që janë ndërtuar për ndërtimin e paqes,” tha ai.
“Për të gjithë liderët botërorë: ju lutem, vizitoni Hiroshimën dhe shiheni vetë realitetin e bombardimit bërthamor.”
Shumë pjesëmarrës e përsëritën këtë thirrje. “Ndjej gjithnjë e më shumë se historia po përsëritet,” tha për agjencinë Reuters 71-vjeçari Yoshikazu Horie. “Po ndodhin gjëra të tmerrshme në Europë… Edhe në Japoni, në Azi, po ecet në të njëjtin drejtim, është shumë frikshme. Kam nipër dhe dua paqe që ata të mund të jetojnë të lumtur.”
Të mbijetuarit nga bombardimet, të njohur si hibakusha, dikur u përballën me diskriminim për shkak të frikës së pabazë nga sëmundjet apo efektet gjenetike. Për herë të parë këtë vit, numri i tyre ka rënë nën 100,000.
Japonia mban një angazhim të deklaruar për çarmatimin bërthamor, por ende nuk është pjesë e traktatit të OKB-së që ndalon armët bërthamore. / Al Jazeera - Syri.net
© SYRI.net