Nga Zachary Faria/
Kandidati demokrat për kryetar bashkie të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, mund të kishte reaguar në shumë mënyra ndaj vrasjes së një oficeri të Policisë së Nju Jorkut. Ai zgjodhi rrugën më të paturpshme, duke bërë sikur nuk po e përdorte vdekjen e një polici për të rishkruar historinë e tij të urrejtjes ndaj policisë.
Mamdani mbajti një konferencë për shtyp të mërkurën, pasi oficeri i NYPD-së, Didarul Islam, dhe tre persona të tjerë u qëlluan për vdekje. Mamdani tha se postimet e tij kundër policisë datonin "që nga viti 2020", të bëra “në një moment zhgënjimi që shumë njujorkezë ndanin pas vrasjes së George Floyd-it.” Ai theksoi gjithashtu se nuk ishte ende këshilltar bashkiak i Nju Jorkut kur i kishte bërë ato komente. Sipas tij, nuk është duke kandiduar për të ulur financimet për policinë, por përkundrazi pretendoi se i intereson shumë çështja e policisë dhe e rendit. Madje, përdori edhe takimin me familjen e pikëlluar të Islamit si armë kundër kundërshtarëve të tij.
Por këtu ka disa sqarime të nevojshme. Së pari, në “vitin e largët 2020”, Mamdani ishte 28 vjeç, jo fëmijë, as ndonjë student naiv, por një i rritur në çdo kuptim. Dhe ndonëse është e vërtetë që nuk ishte ende këshilltar në atë kohë, ai e kishte nisur fushatën në tetor të vitit 2019. Ai fitoi zgjedhjet paraprake të demokratëve në qershor 2020, vetëm një muaj pas vdekjes së Floyd-it. Komentet e tij kundër policisë janë të lidhura qartë me karrierën e tij politike.
Më e rëndësishmja është se çfarë ka thënë realisht Mamdani në atë kohë. Sigurisht që thirrjet e tij të përsëritura për “ule të financimeve të policisë” janë bërë të njohura, por janë komentet e tjera që duken edhe më të rënda në këtë kontekst. Ai i quajti oficerët e policisë së Nju Jorkut një “kërcënim serioz për sigurinë publike.” Tha se ishin “racistë.” Kur dikush tha se kishte parë një oficer policie duke qarë në makinën e tij, Mamdani e përshëndeti këtë gjë.
Mamdani mendon se oficerët e policisë në Nju Jork janë racistë dhe të rrezikshëm, dhe ndien kënaqësi kur ata ndihen të thyer emocionalisht. A është e ekzagjeruar të thuash se Mamdani urren policinë? Na kërkohet të besojmë se ai në fakt ka shumë respekt për policinë dhe se ka ndryshuar rrënjësisht pikëpamjet e tij nga mosha 28 në 33, aq sa tani nuk do që askush të flasë për të kaluarën e tij dhe madje sulmon kundërshtarët që ia përmendin ato komente?
Ky ishte argumenti që Mamdani paraqiti të mërkurën. Asnjë ndjesë për komentet e mëparshme, asnjë pranim se ato ishin të gabuara apo fyese. Asnjë shpjegim përveç justifikimit se ishin bërë në nervat e momentit, për një vit të tërë pas vdekjes së Floyd-it. Mamdani nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj policisë apo çështjeve të rendit. Ai është po ai komunist i neveritshëm anti-polici që ka qenë gjithmonë, duke përdorur pa pikë turpi vdekjen e një oficeri të NYPD-së për të shmangur çdo kritikë ndaj qëndrimeve të mëparshme dhe për të forcuar fushatën e tij për kryetar bashkie. / Washington Examiner - Syri.net
© SYRI.net