Kryeministri libanez Nawaf Salam është vënë nën presion të shtuar nga Shtetet e Bashkuara për të ndërmarrë hapa konkretë drejt çarmatimit të Hezbollahut, grupit të armatosur të lidhur me Iranin që vazhdon të mbajë një rol të fuqishëm në politikën dhe sigurinë libaneze.
Në përfundim të një takimi maratonë të kabinetit që zgjati gati gjashtë orë, Salam deklaroi se qeveria i ka ngarkuar ushtrisë hartimin e një plani për të siguruar që vetëm institucionet shtetërore të mbajnë armë deri në fund të vitit. Plani pritet të paraqitet për diskutim brenda fundit të muajit gusht.
“Është detyrë e shtetit të monopolizojë posedimin e armëve,” deklaroi Salam, duke iu referuar përpjekjeve për të rivendosur sovranitetin shtetëror dhe për të frenuar kontrollin e grupeve të armatosura jashtë strukturave zyrtare.
Lëvizja vjen pas një vale presioni diplomatik nga Uashingtoni, përfshirë një vizitë në korrik të të dërguarit amerikan Tom Barrack, i cili i kërkoi Bejrutit të veprojë më vendosmërisht në çarmatosjen e Hezbollahut – sidomos pas konfliktit 14-mujor me Izraelin që përfundoi në nëntor me ndërmjetësimin e SHBA-së.
Megjithatë, reagimi i Hezbollahut ka qenë i ashpër. Në një fjalim televiziv, zëvendëskryetari i grupit, Naim Kassem, e hodhi poshtë kategorikisht çdo mundësi çarmatimi në rrethana që ai i cilësoi si “nën agresion të vazhdueshëm izraelit”.
“Na kërkohet të dorëzojmë armët, por nuk na ofrohet asnjë garanci për sigurinë kombëtare. Kjo nuk është e pranueshme,” deklaroi Kassem, duke theksuar se çështja nuk mund të zgjidhet pa konsensus kombëtar.
Tensionet janë përshkallëzuar sërish kohët e fundit, me Izraelin që akuzon Hezbollahun për përpjekje për të rindërtuar arsenalin ushtarak, dhe me sulme ajrore të vazhdueshme në territoret libaneze. Ndërkohë, presidenti libanez Joseph Aoun ka ripërsëritur publikisht thirrjet për çarmatimin e Hezbollahut, duke acaruar më tej marrëdhëniet me grupin.
Që nga armëpushimi, Hezbollahu ka deklaruar se nuk do të hyjë në negociata për dorëzimin e armëve pa një tërheqje të plotë të Izraelit nga zonat e diskutueshme në jug të Libanit dhe ndalimin e sulmeve ajrore. Grupi pretendon se mbrojtja e vendit është pjesë thelbësore e misionit të tij.
Përballë një skenari gjithnjë e më të ndërlikuar, komuniteti ndërkombëtar po ndjek nga afër zhvillimet në Liban, i cili ndodhet mes presioneve të jashtme për stabilitet dhe përçarjeve të brendshme mbi rolin e armëve jashtë kontrollit shtetëror. Çështja e çarmatimit të Hezbollahut pritet të dominojë debatin politik në muajt e ardhshëm.
© SYRI.net