Një burrë është arrestuar në Paris pasi ndezi një cigare duke përdorur flakën përkujtimore të Varrit të Ushtarit të Panjohur nën Harkun e Triumfit – një veprim që ka shkaktuar zemërim të gjerë dhe është cilësuar si fyerje ndaj kujtesës historike të Francës.
Ngjarja ndodhi të hënën në mbrëmje dhe u bë virale pasi një turist letonez e filmoi dhe e postoi videon në TikTok. Në pamje shihet burri teksa përkulet për të ndezur cigaren me flakën që nderon ushtarët francezë të rënë në luftë, dhe më pas largohet me qetësi.
Burri u arrestua të martën pasdite dhe sipas Ministrit të Brendshëm të Francës, Bruno Retailleau, ai është vënë nën akuzë për dhunim të një vendi përkujtimor, dhe ka pranuar veprimin në paraburgim. Retailleau e cilësoi aktin si “të pahijshëm dhe patetik”.
Ministrja franceze për Veteranët dhe Kujtimin, Patricia Miralles, paralajmëroi se do të ngrejë padi penale në prokurorinë e Parisit, ndërsa reagimi i saj në platformën X ishte i ashpër:
“Kjo flakë nuk ndez një cigare, ajo digjet për sakrificën e miliona ushtarëve tanë. Kjo është një fyerje për të vdekurit tanë, për historinë tonë dhe për kombin tonë. Nuk mund të tallësh kujtesën franceze dhe të ikësh pa u ndëshkuar.”
Varri i Ushtarit të Panjohur është vendosur në vitin 1920 si një simbol i respektit ndaj të gjithë ushtarëve të panjohur që humbën jetën në Luftën e Parë Botërore, dhe flaka e përjetshme që digjet aty është një nga ikonat më të forta të kujtesës kombëtare në Francë.
Autoritetet nuk e kanë bërë publik identitetin e autorit të aktit, por hetimet po vazhdojnë për ndjekjen e tij penale.
© SYRI.net