India ka reaguar me zemërim ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, duke i akuzuar për hipokrizi në qëndrimin ndaj tregtisë me Rusinë. Deklarata e ashpër nga Ministria e Jashtme indiane erdhi pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi me tarifa të reja prej 25% ndaj mallrave indiane dhe me sanksione të paspecifikuara për blerjet e naftës ruse nga India.
“Vendet që kritikojnë Indinë janë vetë të angazhuara në tregti me Rusinë,” tha Ministria në një deklaratë të hënën, duke e cilësuar të pajustifikuar fokusin e veçantë mbi Nju Delhin. Ajo theksoi se vetëm gjatë vitit 2024, tregtia e BE-së me Rusinë arriti në 67.5 miliardë euro, përfshirë importe rekord të LNG-së prej 16.5 milionë tonësh. Po ashtu, SHBA-të vazhdojnë të importojnë uranium, paladium dhe produkte të tjera nga Rusia, sipas të njëjtës deklaratë.
Kërcënimet e Trump më 31 korrik shënuan një përshkallëzim të papritur në marrëdhëniet mes dy aleatëve strategjikë. Përveç tarifave, ai paralajmëroi edhe ndëshkime ndaj kompanive indiane që vijojnë blerjet nga Moska. India aktualisht importon rreth 1.75 milion fuçi naftë ruse në ditë – një rritje krahasuar me vitin e kaluar.
BE-ja ndërkohë ka vendosur sanksione ndaj Nayara Energy, një rafineri e madhe indiane ku kompania ruse Rosneft ka aksione shumicë. Nju Delhi ka deklaruar se nuk i njeh sanksionet unilaterale të vendosura nga BE-ja.
Reagimet politike në Indi kanë qenë të forta. Deputeti opozitar Manish Tiwari akuzoi Trumpin për fyerje dhe tha se “është koha t’i japim fund këtij ngacmimi të pandërprerë.” Nënkryetari i partisë në pushtet BJP, Baijayant Panda, citoi Henry Kissinger: “Të jesh armik i Amerikës mund të jetë e rrezikshme, por të jesh mik i saj është vdekjeprurëse.”
Ekspertët paralajmërojnë se tarifat mund të godasin rëndë ekonominë indiane. Sipas Ajay Srivastava nga Iniciativa Globale e Kërkimit të Tregtisë, eksportet indiane drejt SHBA-së mund të bien me 30%, nga 86.5 miliardë në 60.6 miliardë dollarë në vitin fiskal aktual.
Tensioni u reflektua menjëherë në bursat e Indisë, ku indeksët kryesorë shënuan rënie të ndjeshme pas kërcënimeve të Trump.
© SYRI.net