Izraeli duhet të ndërmarrë ‘të gjitha masat e nevojshme për të mposhtur Hamasin’ në Rripin e Gazës, deklaroi sot ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz.
"Mposhtja e Hamasit në Gaza, duke krijuar njëkohësisht kushtet për kthimin e pengjeve, janë qëllimet kryesore të luftës në Gaza dhe duhet të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për t’i arritur ato," tha Katz.
Ministri pritet që më vonë gjatë ditës t’ia paraqesë këtë qëndrim kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe anëtarëve të kabinetit të tij, sipas një njoftimi të zyrës së tij.
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë të Izraelit, e parashikuar për gjatë ditës, është paralajmëruar nga mediat, megjithëse zhvillimi i saj nuk është konfirmuar zyrtarisht deri më tani.
Katz vizitoi trupat në Rripin e Gazës, gjatë së cilës shpjegoi se ka formuar një qëndrim të qartë për hapat e sigurisë dhe ato politike që Izraeli duhet të ndërmarrë për të garantuar arritjen e objektivave të luftës.
"Sapo udhëheqja politike të marrë vendimet e nevojshme, ushtria, ashtu siç ka bërë në të gjitha frontet e luftës deri tani, do të zbatojë politikën e përcaktuar në mënyrë profesionale", tha ministri sipas njoftimit.
Ai shtoi:
"Duhet të garantojmë sigurinë e komuniteteve izraelite duke ruajtur një prani të përhershme të ushtrisë izraelite në një zonë sigurie rajonale, në pika strategjike në Gaza, prej nga mund të parandalohen sulmet ndaj komuniteteve si dhe kontrabanda e armëve drejt Gazës."
© SYRI.net