Kinë: Mbi 7,000 raste të virusit chikungunya, autoritetet ngrenë alarmin dhe marrin masa ekstreme

Kinë: Mbi 7,000 raste të virusit chikungunya, autoritetet ngrenë alarmin dhe marrin masa ekstreme

09:36, 05/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Guangdong, Kinë – Më shumë se 7,000 raste të virusit chikungunya, i transmetuar nga mushkonjat, janë raportuar që nga korriku në provincën jugore të Guangdong në Kinë, duke nxitur autoritetet të ndërmarrin masa të rrepta parandaluese, të krahasueshme me ato të pandemisë së Covid-19.
Foshan, qyteti më i prekur, ka zbatuar rregulla të forta për pacientët e infektuar, të cilët detyrohen të qëndrojnë në spital të mbrojtur me rrjeta kundër mushkonjave, dhe nuk mund të dalin pa një test negativ ose pa e përfunduar një periudhë njëjavore izolimi.

Chikungunya përhapet përmes pickimit të një mushkonje të infektuar dhe shkakton ethe të forta, skuqje dhe sidomos dhimbje të forta të kyçeve, të cilat mund të zgjasin me muaj apo edhe vite.

Përhapja e virusit në Kinë po zgjerohet shpejt. Përveç Foshanit, të paktën 12 qytete të tjera në Guangdong kanë raportuar infeksione – vetëm javën e fundit janë konfirmuar rreth 3,000 raste. Edhe Hong Kongu regjistroi rastin e parë, një 12-vjeçar që kishte udhëtuar në Foshan.

Zyrtarët shëndetësorë theksojnë se virusi nuk është ngjitës nga personi në person, por përhapet kur një mushkonjë pickon një të infektuar dhe më pas kafshon një tjetër.
Masat që po zbaton Kina për të frenuar përhapjen:

• Zbulimi dhe tharja e burimeve me ujë të ndenjur.

• Vendosja e gjobave deri në 10,000 juanë (1,400 dollarë) për familjet që nuk pastrojnë ambientet.

• Lëshimi i “mushkonjave elefant” që gllabërojnë mushkonjat e zakonshme.

• Përdorimi i peshqve që hanë larvat e mushkonjave – vetëm javën e kaluar u hodhën 5,000 në liqenet e Foshanit.

• Dronë për të identifikuar pellgje të fshehura.

• Nxitja e qytetarëve për të raportuar simptoma dhe për t’u testuar menjëherë.
Megjithatë, disa masa karantine të hershme, përfshirë ndalimin e udhëtarëve nga Foshan të hyjnë në qytete të tjera pa izolim 14-ditor, janë tashmë tërhequr pas reagimeve publike.

Reagime të përziera në rrjete sociale
Përdoruesit në platformën Weibo kanë shprehur shqetësim dhe konfuzion për masat e rrepta:
“Këto duken kaq të njohura… Por a janë vërtet të nevojshme?”, shkroi një qytetar.
“A nuk është sikur një pacient i infektuar do të shkojë andej-këndej duke kafshuar njerëz?”, ironizoi një tjetër.

Kujdes i shtuar për udhëtarët

SHBA-të kanë këshilluar qytetarët e tyre që udhëtojnë në Kinë të tregojnë kujdes të shtuar, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon uljen drastike të vendeve me ujë të ndenjur si masë parësore parandaluese.

Çfarë është chikungunya?

Chikungunya është një virus tropikal i njohur për dhimbjet e forta të kyçeve dhe temperaturën e lartë. Nuk ka kurë specifike, por shumica e të prekurve shërohen brenda një jave. Megjithatë, personat me rrezik më të lartë, si të moshuarit, të porsalindurit apo ata me sëmundje kronike, mund të përjetojnë komplikacione të zgjatura.
Virusi u identifikua për herë të parë në Tanzani në vitin 1952 dhe është raportuar tashmë në mbi 110 vende në botë, përfshirë rajonet tropikale të Azisë dhe Afrikës.
Autoritetet kineze kanë premtuar të veprojnë me vendosmëri për të shmangur një përhapje më të gjerë, ndërsa sytë janë tani mbi efektivitetin e masave – dhe mbi balancimin mes kujdesit shëndetësor dhe panikut publik.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco