Një politikan australian, Gareth Ward, i dënuar muajin e kaluar për përdhunim dhe sulme seksuale ndaj dy të rinjve, po përpiqet të mbajë vendin e tij në parlamentin e Uellsit të Ri Jugor (NSW), pavarësisht se ndodhet në burg në pritje të dënimit.
Dhoma e Përfaqësuesve në NSW ishte gati ta përjashtonte këtë javë 44-vjeçarin, por avokatët e tij po kërkojnë ndërhyrje nga Gjykata Supreme për të ndaluar largimin e detyruar. Ward planifikon të apelojë vendimin e jurisë, ndërkohë që refuzon të japë dorëheqjen nga posti si deputet i pavarur i Kiama-s.
“Është e papranueshme që një person i dënuar për krime të rënda seksuale të vijojë të paguhet dhe të mbajë një vend në parlament,” deklaroi kryeministri i NSW, Chris Minns, duke e cilësuar situatën si absurde dhe fyese për qytetarët.
Ward, i cili dha dorëheqjen nga Partia Liberale dhe pozita ministrore pas ngritjes së akuzave në vitin 2021, u rizgjodh në vitin 2023. Ai pritet të dënohet muajin e ardhshëm për tre akuza për sulm të pahijshëm dhe një për përdhunim. Nëse përjashtohet nga parlamenti, qyteti i Kiama-s do të shkojë drejt zgjedhjeve të pjesshme.
© SYRI.net