Pesë avionë luftarakë gjermanë Eurofighter do të stacionohen për disa javë në një bazë ajrore pranë kryeqytetit të Polonisë, sipas raportimit të agjencisë gjermane të lajmeve DPA.
Avionët do të vendosen në bazën e Minsk Mazoëiecki, në lindje të Varshavës, ku ndodhen gjithashtu rreth 150 ushtarë gjermanë.
Sipas një zëdhënësi të forcave ajrore gjermane, i cituar nga DPA, misioni i tyre do të zgjasë më pak se një muaj.
Polonia është një nga mbështetëset më të rëndësishme të Ukrainës, si në nivel politik ashtu edhe ushtarak, që prej nisjes së pushtimit rus në shkurt të vitit 2022.
Ajo luan gjithashtu një rol kyç në dërgimin e ndihmës ushtarake nga Perëndimi drejt Kievit. Mes shqetësimeve se mund të jetë në shënjestër të Moskës në të ardhmen, Polonia po ndërmerr hapa për forcimin e konsiderueshëm të ushtrisë së saj.
Që prej prillit, forcat ajrore gjermane kanë mbështetur ushtrinë polake në misione zbulimi në hapësirën ajrore të Polonisë.
Deri tani, avionët Eurofighter ngriheshin nga qyteti Rostock në verilindje të Gjermanisë. Vendosja e tyre në Poloni u bë me kërkesë të Varshavës.
Sipas ushtrisë polake, avionët luftarakë gjermanë do të forcojnë ‘mbrojtjen e hapësirës ajrore në krahun lindor të NATO-s’, duke shtuar në një postim në platformën X se kjo është ‘një tjetër shembull bashkëpunimi mes aleatëve dhe përkushtimit të tyre të vërtetë ndaj sigurisë në Evropën Qendrore e Lindore’.
© SYRI.net